Balla: Buxheti 2027 më i madhi në histori, parashikohet ulja e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi Buxhetin 2027 si më të madhin në historinë e vendit, duke theksuar se paketa fiskale parashikon ulje të çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, si dhe një rritje të mbështetjes sociale.
Në një videomesazh para nisjes së seancës plenare, ku pritet të votohet në parim buxheti dhe paketa fiskale, Balla u ndal te ndryshimet që, sipas tij, do të ndikojnë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve.
Një prej masave të prezantuara është ulja e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%. Balla pretendoi se kjo do të reflektohet në çmimet për konsumatorët, duke marrë si shembull bukën, e cila nëse aktualisht kushton 1 mijë lekë të vjetra, me ndryshimet e reja do të kushtojë rreth 880 lekë nga 1 janari.
Një tjetër ndryshim i paralajmëruar është heqja e taksës së qarkullimit, për të cilën Balla tha se do të sjellë uljen e çmimit të karburantit me 320 lekë për njësi.
Kreu i grupit parlamentar socialist u ndal edhe te ndryshimet në tatimin mbi fitimin nga dividendi, duke argumentuar se paketa e re synon një shpërndarje më të drejtë të barrës fiskale, sipas parimit që ata që fitojnë më shumë të paguajnë më shumë, ndërsa qytetarët me të ardhura më të ulëta të paguajnë më pak ose aspak.
Balla u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në diskutimet parlamentare për buxhetin dhe paketën fiskale, duke i ftuar të paraqesin pyetje, argumente dhe propozime përpara votimit.
“Ftoj opozitën të vijë me mendje ndryshe nga herët e tjera në këtë Kuvend, të diskutojmë, të marrin pjesë në debat, të bëjnë pyetje nëse duan dhe pastaj i ftoj të votojnë uljen e çmimit të ushqimeve, uljen e çmimit të karburanteve dhe buxhetin që ka pjesën sociale më të madhe”, deklaroi Balla.
Sipas tij, Buxheti 2027 parashikon mbi 3.2 miliardë euro për komponentin social, shifër që e cilësoi si më të lartën e akorduar ndonjëherë për këtë sektor. Balla e cilësoi buxhetin si një dokument me peshë të fortë sociale, që synon mbështetjen e qytetarëve dhe lehtësimin e kostove të jetesës.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.