Balla vlerëson rezolutën e përbashkët me opozitën për integrimin në BE: Ndër më të mirat e komisionit
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në Kuvend lidhur me punën e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, i cili ka miratuar projektrezolutën “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Balla tha se komisioni e ka miratuar dokumentin pa asnjë votë kundër dhe pa abstenim, duke e cilësuar atë si një nga më të mirët që është përgatitur nga ky komision.
Sipas tij, dokumenti është produkt i një diskutimi, ku janë reflektuar si kritikat, ashtu edhe angazhimi dhe qasja objektive, por mbi të gjitha ka si “yll orientues” anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se mocioni me debat është i lidhur me nenin përkatës, sipas të cilit në përfundim të diskutimeve miratohet rezoluta, e cila sipas tij ka kaluar me konsensus.
“Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme të gjithë së bashku, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim, me të gjitha votat pro, kemi miratuar një dokument që është shumë i mirë, ndër më të mirët që ka miratuar ky komision. Pas pesë orësh debate dhe seancash, ka brenda edhe kritikën, edhe angazhimin, edhe syrin objektiv, por mbi të gjitha ka yllin orientues të Shqipërisë sonë të përbashkët, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ky mocion dhe debat sot është i ndërlidhur me nenin ku thuhet që në përfundim të debatit miratohet rezoluta. Ajo ka kaluar me konsensus dhe mendoj që do të ishte në të mirë të procesit ta dëgjojmë rezolutën dhe më pas të hapim debatin, ku pas prezantimit të saj do të kemi edhe një zë nga opozita. Këtu gjej rastin t’i falënderoj anëtarët e komisionit, por veçanërisht Haxhinaston dhe zonjën Vokshi nga opozita. Këto 48 orë kanë qenë realisht një punë intensive, ndaj të mos e prishim punën e mirë dhe të shkojmë përpara me diskutimin, tha Balla.
Ndërsa para Ballës foli edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili kërkoi llogari në Kuvend për mungesën e kryeministrit Edi Rama në ditën kur do të diskutohej projektrezoluta për integrimin.
Bardhi tha se se s’mund të diskutohet për një proces me rëndësi të tillë pa praninë e kryeministrit, ndërsa shtoi se ky i fundit është paraqitur vetëm 2 herë në Kuvend.
“Raportimi i Këshillit të Ministrave për integrimin është pjesë e llogaridhënies që qeveria jep në Kuvend. Është kryeministri që sipas Kushtetutës, përfaqëson Këshillin e Ministrave. Duhet të ishte kryeministri në seancë që të informonte Kuvendin. Aq më tepër që kemi një ministër shteti përgjegjës për negociatat me BE. Secili përgjigjet sipas përgjegjësive që ka përpara Kuvendit të Shqipërisë. Nuk mund të ndodhë që të diskutojmë për një proces që e kemi quajtur prioritet strategjik mbarëkombëtar dhe nuk kemi kryeministrin prezent. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë në Kuvend vetëm 2 herë për të votuar. Është kryeministër karton. Vjen vetëm kur duhet numri përkatës për votat në Kuvend”, tha Bardhi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.