Opinion

Ballkani Perëndimor: Një fushëbetejë e dezinformimit, që sa vjen e zmadhohet

Nga David A.Wemer

Ndërsa demokracitë në mbarë botën, po përqiqen të luftojnë dezinformimin në internet, demokracitë në zhvillim të Ballkanit Perëndimor, “janë goditur nga një valë e re e dezinformimit, ndaj së cilës rajoni është shumë më pak i përgatitur apo rezsitent, se sa shoqëritë perëndimore”, sipas Jelena Miliç, drejtoreshë e Qendrës Euroatlantike në Serbi.

Rajoni, që përjetoi konflikte shkatërruese në vitet 1990 pas shpërbërjes së Jugosllavisë, është shënjestruar gjithnjë e më shumë vitet e fundit nga fushatat dezinformuese, të mbështetura nga jashtë, dhe të përshkallëzuara nga mosbesimi i thellë i opinionit publik tek institucionet qeveritare.

Miliç dhe ekspertë të tjerë rajonalë, diskutuan mbi rritjen e dezinformimit në rajon, në kuadër të Javës Disinfo të Këshillit Atlantik , i cili në 4 ditë bëri bashkë zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë kundër dezinformatorëve, gjatë diskutimeve në tre qytete evropiane në Athinë, Madrid dhe Bruksel.

Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, janë veçanërisht të prekshme ndaj informacionit të falsifikuar në internet, shpjegoi Miliç në takimin e Brukselit, pasi këto vende nuk “kanë një përvojë të gjatë si shoqëri me demokraci, sundim të ligjit, apo media të pavarur”. Komuniteti i medias është veçanërisht i dobët, tha Miliç, teksa legjitimiteti i saj vazhdon të jetë i dyshimtë, për shkak të rolit që luajti në nxitjen e konflikteve të viteve 1990, dhe për shkak të ngadalësisë në reagimin ndaj goditjeve nga manipulatorët rusë.

“Ata dështuan të shohin, dhe raportojnë marshimin e ‘elefantit rus’-tha Miliç. Ndërkohë, Adnan Huskiç, kryetar i Qendrës për Studime Elektorle në Bosnje Hercegovinë, u pajtua me këtë konstatim duke thënë se “kur nuk keni zhvilluar si duhet sistemet e medias në vendin tuaj, që supozohet të ofrojnë një gazetari të paanshme dhe profesionale etike…atëherë keni një problem të madh”.

Mungesa e një media të fortë, e bën më të lehtë për elitat politike, që ta përdorin dezinformimin për të ruajtur kontrollin e tyre, argumenton ai, veçanërisht pasi kontrollet dhe balancat politike, mbeten diçka iluzore në të gjithë rajonin. Laura Braun, një zyrtare e çështjeve publike dhe zëdhënëse e Ambasadës Amerikane në Maqedoninë e Veriut, shpjegoi se mungesa e besimit tek institucionet politike, është ajo që e bën rajonin një terren kaq pjellor për dezinformimin.

“Shumë dezinformata që ne shohim, luajnë me narrativat e institucioneve jo pabesueshme, dhe përpiqen të shkatërrojnë më tej besimin në vend”- tha ajo. Edhe lajmet e rreme që në dukje janë neutrale në aspektin politik, siç janë historitë e rreme mbi rreziqet që vijnë nga vaksinat, mund të “rritin në tërësi nivelin e ankthit në shoqëri, dhe kjo i bën njerëzit të ndihen sikur qeveria nuk po bën asgjë për t’i ndihmuar”, vijoi më tej ai.

Në veçanti, në Maqedoninë e Veriut, Braun raportoi se dallgët e e dezinformimit, filluan të shfaqen në internet pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2016, taksa partia në pushtet humbi shumicën në parlament. Ndërsa partitë përpiqeshin të formonin një koalicion qeverisës, dezinformacionet u përpoqën të delegjitimonin zgjedhjet, duke përhapur në mediat sociale teorinë se partitë e opozitës ishin ndihmuar nga të huajt.

Këto fushata u zgjeruan kur Zoran Zaev, kryeministri i asaj që në atë kohë njihej si Republika e Maqedonisë, dhe kryeministri grek Aleksis Cipras, arritën një marrëveshje për të ndryshuar emrin e ish-kombit, në Maqedonia e Veriut në qershorin e vitit 2018.

Ndërsa votuesit shkuan në referendum, për të miratuar marrëveshjen e ndryshimit të emrit, Braun tha se procesi u shoqërua me “një sasi jashtëzakonisht komplekse, të organizuar dhe toksike të dezinformimit, që dominoi rreth 99 përqind të diskutimeve në mediat sociale”.

Miliç paralajmëroi se fushatat e dezinformimit të koordinuara nga Rusia, kanë shkaktuar dëme në Serbi, dhe mund të zgjerohen në të ardhmen. Portali rus ‘Sputnik’, “është shumë agresiv” tha Miliç, pasi “kryeredaktori i tyre e paraqet Sputnik në Serbi, si një media serbe”, në vend se të zbulojë origjinën ruse të vendit.

Miliç njoftoi se ‘Sputnik’, po promovon tashmë një histori të rreme, duke pretenduar se uraniumi i përdorur në vend, po shkakton një epidemi kanceri. Miliç shqetësohet se si portalet ruse ashtu edhe kineze, që kanë për bazë dezinformimin mund të zgjerohen, teksa afrohet 20-të vjetori i fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, dhe teksa Beogradi po vazhdon bisedimet e vështira me fqinjen e saj jugore, Kosovën.

Braun tha se qeveritë, si në rajon ashtu edhe në Perëndim, nuk duhet të reagojnë duke u bërë më “të ngadaltë dhe të mefshët” se sa janë aktualisht. Në vend se të fiksohen pas çdo historie të rremë që publikohet, Brun sugjeroi që politikëbërësit të përqëndrohen mbi atë “çfarë do të thotë e ardhmja euroatlantike” e rajonit, gjë që është një “realisht një mesazh i fuqishëm që kemi…dhe në fund të ditës, ky mesazh mund të jetë më i fuqishëm, se të gjitha sulmet e shëmtuara që shohim”.

“Atlantic Council” 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button