Bamirësi Mark Zuckerberg
Mark Zuckerberg nuk është vetëm një djalosh që preferon ta kalojë kohën në rrjetet sociale. Ai është shumë më tepër se aq.
Shefi ekzekutiv i Facebook tregoi se është edhe shumë i ndjeshëm, kur ditën e premte, bashkë me bashkëshorten e tij, dr. Priscilla Chan, dhuroi 75 milionë dollarë bamirësi për Spitalin e Përgjithshëm të San Franciskos.
Zuckerberg u shpreh se ky donacion do të ofrojë një akses më të lehtë në shëndetësi për njerëzit që jetojnë në Gjirin e qytetit, Bay Area.
“Priscilla dhe unë mendojmë se kushdo meriton të ketë akses në një shërbim shëndetësor cilësor. Gjiri i San Franciskos është shtëpia jonë, ne punojmë këtu, jetojmë këtu dhe duam të investojmë në përpjekjet që mund të bëjnë ndryshimin tek jeta e qytetarëve”, tha Zuckerberg.
Donacioni, që është më i madhi i marrë ndonjëherë nga spitali që nga hapja e tij në vitin 1994, do t’i mundësojë institucionit që të shtojë dy dhoma për traumat, tre salla operacioni dhe dyfishimin e përmasave të dhomës së urgjencës.
“Ky grant është një copëz jetike për të kompletuar qendrën e re të traumës dhe të kujdesit akut. Ai do të financojë pajisjen me teknologji të ndërtesës së re dhe do të ndihmojë në konvertimin e godinës ekzistuese të spitalit në një qendër ambulatore kujdesi”, thuhet në një komunikatë.