Banda e grabitësve të bankave/ Zbardhet “kodi i heshtjes” mes Neim Avdulaj dhe Admir Murataj
“Nëse do të kapem nga policia, do ta duroj presionin e shtetit dhe emrin tënd nuk do ta nxjerr. Nëse ndodh kjo, ti ke punë me mua, jo me Fationin e Ditionin”.
Kjo ishte garancia, që ish-komandoja Neim Avdylaj, i kishte dhënë të shumëkërkuarit Admir Murataj, që cilësohet si “truri” i grabitjes së bankave.
Por ndryshe nga mafia, ku “kodi i heshtjes” zbatohet me përpikmëri, Avdulaj e shkeli premtimin dhe i rrëfeu policisë, emrin e Admir Murataj, vetëm dhjetë orë pasi ishte arrestuar, raporton BalkanWeb.
Në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda thuhet se, Neim Avdulaj ka pranuar se ka patur rolin e informatorit në grupin e grabitjes, si dhe ka dhënë detaje për mënyrën sesi kanë vepruar për të goditur blindat që transportonin paratë e bankave drejt Aeroportit të Rinasit.
Në dëshminë e tij, ai ka rrëfyer edhe faktin se kishte hyrë garant te Admir Murataj, se do ta ruante sekretin nëse kapeshin, por nuk mundi ta mbajë premtimin.
Mbase kjo për faktin se pak ditë më parë, miku i tij, Fation Xhyliu kishte folur për hetuesit, dhe kishte treguar me detaje gjithçka dinte rreth grabitjes së 3 dhjetorit 2015 dhe asaj të 9 shkurtit 2017.
Po si u njoh Avdulaj me Muratajn?
Ish-ushtari profesionist u ka shpjeguar hetuesve se fillimisht është njohur me Admir Çerpjan, pasi ky i fundit kishte një të afërm në ushtri, me të cilin kishte qenë ushtar në Afganistan. E përmes Çerpjas, ka rënë në kontakt me Muratajn, i cili jetonte në arrati, pasi disa vite më parë, bashkë me Ilir Kupën dhe disa persona të tjerë ishte arratisur nga burgu i Trikallasë ne Greqi.
Avdulaj ka shpjeguar më tej, se Murataj, pasi ka rënë dakord se do të kryente grabitjen, i ka vënë në dispozicion katër celularë, të thjeshtë, me gjithë kartat SIM, për të mbajtur kontakte me pjesëtarët e tjerë të grupit.
Ish-ushtari profesionist ka pranuar gjithashtu se është pikërisht ai që bëri të mundur lidhjen e Muratajt, me Dition Memlikën dhe Fation Xhyliun.
Më tej grupi ka punuar për muaj me radhë, secili me rolet që kishte marrë përsipër, për të bërë të mundur grabitjet e blindave, që transportonin para drejt Rinasit. Nga goditja e grupit, policia ka mundur të sekuestrojë një pjesë të parave të grabitura, që u gjetën të groposura në oborret e shtëpive të të dyshuarve, të vendosura në tenxhere me presion.