Banka : Nuk është kërkuar shkarkimi i Fullanit, mbështesim Prokurorinë
Banka e Shqipërisë, përmes një njoftimi për shtyp, ka mohuar lajmin se në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, të jetë hedhur për votim kërkesa për shkarkmin e guvernatorit të këtij institucioni Ardian Fullani, lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve të reja.
“Në vijim të lajmit të publikuar sot “Fullani, propozohet shkarkimi”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së sot me të Këshillit Mbikëqyrës ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë më tej BSH ka shprehur gatishmërinë e saj për të vijuar bashkëpunimin me organin e Prokurorisë, në mënyrë që hetimi për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga
Thesari të jetë i plotë dhe të përfundojë sa më shpejt, duke vënë të gjithë personat përgjegjës para drejtësisë.
Sipas asaj që thuhet në njoftimin zyrtar, në përfundim të mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës theksoi se kjo ngjarje kriminale nga ish-punonjës të saj nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në kryerjen me efikasitet të aktivitetit të saj të përditshëm.
Po ashtu Këshilli Mbikëqyrës i BSH garanton opinionin publik se po punohet me vendosmëri për të rikuperuar të gjithë pasojat që mbart vjedhja e 713 milionë lekëve nga Thesari.
Ndërkaq, theksohet se “pas kallëzimit penal, për dy ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, Administrimi i Bankës së Shqipërisë ka:
1. Informuar autoritetet dhe institucionet më të larta të vendit.
2. Thirrur mbledhje të posaçme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në datat 22 korrik 2014, 29 korrik 2014, 1 gusht 2014, për ta informuar atë për ngjarjen e ndodhur dhe për masat e marra.
3. Ngritur tre grupe pune për të:
a. kryer inventarizimin e plotë të vlerave monetare në kartëmonedhë në administrim nga Banka e Shqipërisë;
b. verifikuar nëse ka pasur nxjerrje të informacionit që përbën sekret shtetëror nga punonjës që për shkak të detyrës kanë qenë njohur me këtë lloj informacioni;
c. konstatuar përputhshmërinë e veprimeve të kryera në terren nga punonjësit përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare, me përcaktimet e akteve rregullatore të Bankës së Shqipërisë, sa i përket procedurave të ruajtjes, administrimit dhe të përpunimit të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë.
4. Bashkëpunuar ngushtësisht me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për evidentimin e çdo shkeljeje të akteve ligjore dhe nënligjore, që kanë mundësuar krijimin e rrethanave të favorshme për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës në Bankën e Shqipërisë.
5. Ndërprerë marrëdhëniet e punës me të gjithë personat e ngarkuar me vlera monetare dhe duke i zëvendësuar ata me punonjës të tjerë.
6. Liruar nga detyra dhe ka zëvendësuar me specialistë me eksperiencë drejtuesit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes.
7. Informuar të gjitha institucionet e sigurisë financiare në vend dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, mbi ecurinë e zbatimit të planit të masave, për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve në sistemin bankar shqiptar.
8. Raportuar në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave rreth masave të marra në një seancë dëgjimore dhe me shkresë.
9. Organizuar takime me punonjësit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes, për të analizuar ngjarjen e përvetësimit të vlerave monetare, për prezantimin e drejtuesve të rinj dhe për të detajuar planin e masave që do të garantojë vijimësinë e punës në këto departamente.”- thuhet në njoftimin e Këshillit Mbikëqyrës.
Gjithashtu Këshilli Mbikëqyrës nënvizon se i është kushtuar një vëmendje të veçantë përcaktimit të një strategjie më afatgjatë për të garantuar administrimin sa më efektiv të rrezikut operacional në të gjithë hallkat e përpunimit dhe ruajtjes së parasë cash.
“Më konkretisht, për të rritur shkallën e sigurisë, Këshilli Mbikëqyrës, ndër të tjera la si detyrë që përpjekjet në këtë drejtim të përqendrohen në:
1. Rivlerësimin e të gjithë bazës rregullatore, procedurave dhe praktikave që lidhen me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash nën asistencën e institucioneve dhe agjencive të specializuara ndërkombëtare. Disa nga çështjet më prioritare në këtë drejtim do të jenë:
• Rritja e shkallës së sigurisë.
• Instruktimi i pandërprerë i anëtarëve të komisioneve të inventarizimit të vlerave monetare.
• Forcimi i proceseve të monitorimit në kohë reale të pamjeve të regjistruara nga sistemi i kamerave të sigurisë.
• Përcaktimi më i detajuar i niveleve të kontrollit në të gjitha hyrjet sipas arkave.
• Rikalibrimi i rolit të kontrollorit mbikëqyrës për të garantuar më mirë zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi.
2. Forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve me organet e zbatimit të ligjit për monitorimin e pastërtisë dhe figurës morale të punonjësve që mbajnë pozicione kyç si dhe të të ngarkuarve me vlera monetare.
3. Intensifikimin e procesit të nisur për ngritjen e strukturave për vlerësimin e rrezikut operacional në çdo sektor dhe në tërësi për institucionin.
4. Trajnimin dhe testimin e vazhdueshëm me qëllim informimin në kohë të të gjithë punonjësve të lidhur me rregulloret ekzistuese, me procedurat në fuqi dhe me rishikimet eventuale që mund të pësojnë ato.
5. Automatizimin e mëtejshëm të administrimit të lëvizjes dhe magazinimit të parasë cash.”