Bankat po shesin pengjet kundrejt një kredie të re
Bankat tregtare në vend pasi kanë dështuar me përmbaruesit për shitur pronat e lëna peng nga kredimarrësit e këqij janë duke aplikuar forma “joshëse” për shitjen e tyre, duke ulur çmimet kundrejt një financimi të ri.
Banka Amerikanë e investimeve njoftoi shitjen e 20 pasurive që përfaqësohen nga troje, banesa dhe vila me okazion. Një nga pronat me sipërfaqe mbi 540 metër katror në zonën e Dajtit shitet me 180 mijë euro shumë poshtë vlerës së tregut me vetëm 330 euro për metër katror.
Blerësi i interesuar nëse nuk ka vlerat monetare të nevojshme për blerjen e kësaj pronës mund të financohet me kredi nga banka që ofron shitjen.
Ofertën e financimit me kredi të pengjeve stok Banka e Amerikane e investimeve e ofron për të gjitha pronat në shitje. Por ndërkohë më këtë manovër ata janë duke i shitur pengjet ose janë duke shkëmbyer kredive me humbje, pasi pronat në fjalë në momentin kur janë lënë kolateral ishin të mbivlerësuara.
Gjithashtu banka i ka njoftuar të interesuarit për blerjen e këtyre pronave se mund t’i ndihmojë me kredi.
Bankat tregtare në vendin tonë janë në një fazë intensive të shitjes së pronave që tashmë kanë në zotërim nga moskthimi i kredive.
Sipas njoftimeve që bankat kanë bërë në web-et e tyre zyrtare janë 1243 prona në të gjithë vendin, të shpallura për shitje nëpërmjet ankandeve. Në mesin e këtyre pronave janë apartamente, vila, dyqane, garazhe dhe toka të shpërndara në të gjithë vendin.
Banka Kombëtare Tregtare ka numrin më të madh të objekteve në shitje me 338 të tilla. Më pas vjen Banka Raiffeisen, e cila ka listuar për shitje në ëeb-in e saj zyrtar 210 objekte. Pas Raiffeisen, me numrin më të madh të objekteve vjen Tirana Bank me 168 të tilla.
ProCredit Bank gjithashtu ka nxjerrë në ankand 155 objekte dhe Banka Kombëtare Greke 111 objekte. Gjithashtu edhe Banka e Parë e investimeve ka nxjerrë në shitje 96 objekte.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat zotërojnë 22 miliardë lekë pasuri të patundshme (rreth 160 mln euro), të cilat janë duke denatyruar rolin primar të bankave në ndërmjetësimin e financiar, duke kthyer një pjesë të funksioneve të tyre në “real estate”.
Banka e Shqipërisë ka referuar se vlera e kolateraleve në pronësi të bankave, pasi kanë dështuar shitjet nga përmbaruesit, është rritur ndjeshëm më 2015. Nga 5 miliardë lekë në 2012, zotërimet e bankave në formën e pasurive të paluajtshme në fund të vitit të kaluar janë më se katërfishuar në rreth 22 miliardë lekë.