Barazia gjinore në Amerikën Veriore, realitet pas 100 vjetëve?
Për gratë në Amerikën e Veriut gjërat çuditërisht po ecin kaq ngadalë, saqë sipas një studimi të ri, do të duhen edhe 100 vjet, derisa të përjetohet një fenomen i tillë i njohur tashmë gjerësisht si barazia gjinore.
Presioni nga puna dhe familja
Arsyeja për këtë nuk është vetëm se gratë janë pra gra dhe bëjnë fëmijë, e prej kësaj në aspektin profesional ndoshta janë natyrisht edhe disi të tërhequra e të lëna pas dore. Pasi si gratë, ashtu dhe burrat, ndihen njësoj nën presion për ta sjellë punën dhe familjen nën një çati. Ky ishte rezultat i një studimi që anketoi 30 mijë nëpunës në 118 firma e sipërmarrje amerikanoveriore. Studimi u ndërmor nga “McKinsey & Company” me porosi të LeanIn.org, një organizatë jofitimprurëse e Sheryl Sandberg e themeluar në Facebook, e cila fokusohet tek të drejtat e grave.
Gratë? Jo në nivelet drejtuese
Problemi i madh, i vështirë e i shëmtuar madje për t’u zgjidhur, sipas studimit në fjalë janë: paragjykimet mes gjinive. Vetëm 17 për qind e pozicioneve vendimmarrëse, sipas studimit, zihen prej grave. Ka vetëm 24 kryemenaxhere femra në listën e më të pasurve të 500 ndërmarrjeve më të mëdha amerikane. Ky, sigurisht se është një përmirësim në krahasim me vitin 1998, kur në listë ndodhej vetëm një grua, por megjithatë, kjo do të thotë se ende sot e kësaj dite, 95 për qind e këtyre firmave drejtohen nga burrat.
“Disa prej barrierave më të mëdha janë ato kulturore dhe lidhen me perceptimin subkoshient, që ndikojnë zhvillimin, zënien me punë dhe politikat e rekrutimit të firmave”, shpjegoi Dominic Barton, drejtor global i menaxhimit në “McKinsey & Company”, në një konferencë për shtyp të firmës së tij.
Problemi i perceptimit subkoshient
Fjala është për një perceptim subkoshient përballë gjinive, që është tepër i përhapur. Kjo përqasje është shumë më e vështirë për t’u luftuar dhe për t’u thyer nga ç’duket. Shumë njerëz për shembull, besojnë se gratë janë më pak kompetente se sa burrat. Veç kësaj, janë edhe të ashtuquajturat “paragjykimet materne”. Kjo do të thotë se nënat që janë mirë në punët e tyre, janë të padëshiruara, e për këtë arsye paguhen pak. Pasi ata që i paguajnë besojnë se ato janë “nëna të këqija”. Në firmat e marra në studim, gratë mbulonin 45 për qind të pozicioneve fillestare. Sa më i lartë pozicioni, aq më pak gra gjendeshin. Vetëm 27 për qind e nënpresidenteve janë gra, 23 për qind e nënpresidentëve të nderit dhe 17 për qind e stafit menaxherial. Këto shifra qysh prej 2012 janë përmirësuar në nivele minimale. Për këtë arsye, një barazi gjinore e mirëfilltë, sipas studimit, nuk rezulton se do ketë në këtë rajon edhe pas 100 vjetëve.
Të gjitha gratë apo “vetëm” nënat?
“E trajtuar nga aspekti historik, ne na rezultoi se gratë kishin më pak interes ndaj shpërblimit, pasi ato janë shumë të ngarkuara me përgjegjësinë familjare”, tha Rachel Thomas, presidente dhe themeluese e LeanIn, për “Huffington Post”. “Ky studim nxjerr në pah një arsye që deri më tani rëndom ishte neglizhuar: ka diçka në vendin e punës, që për gratë është më strikte. Gratë pranojnë se stresi dhe presioni mund të ishin pengesa të mëdha për to – dhe madje të gjitha gratë, jo vetëm nënat me fëmijë. Stresi vjen nga pengesat e mëdha që gratë duhet të përballojnë në botën profesionale. Për shembull, për besimin e gabuar se gratë janë më pak kompetente se sa burrat. Gratë duhet të dëshmohen se janë e kundërta, në mënyrë të vazhdueshme. Veç kësaj, ka një lidhje mes perceptimit të jashtëm të kompetencës dhe të preferuarit: nëse ato mbahen për kompetente, nuk janë kaq të preferuara. E kundërta; gratë që janë të preferuara, mbahen për më pak kompetente, thotë Thomas.
Burrat: Gratë kanë shanse më të mira
Sipas studimit, gratë përjetojnë katër herë më shpesh ndjesinë se kanë më pak shanse e mundësi – për shkak të gjinisë së tyre. Veç kësaj, ato kanë e përjetojnë dyfish më shpesh ndjesinë se gjinia e tyre në të ardhmen do t’i pengojë ato edhe më shumë. Megjithatë, shumica e burrave të pyetur në sondazh, pohuan se gratë kanë shanse të barabarta e madje më të mira për punë. “Ka një thyerje mes asaj çfarë njerëzit mendojnë dhe asaj se çfarë ato kuptojnë me të vërtetë me këtë problem”, thotë Thomas. LeanIn sigurisht dëshiron ta ndryshojë këtë. Raporti i organizatës është një këshillues shumë i mirë për firmat që duan të kontribuojnë e luftojnë më shumë për barazinë gjinore:
- Të mbledhin të dhëna.Firmat duhet të shqyrtojnë në mënyrë sistematike se sa gra kanë punësuar dhe se sa gra ato po shpërblejnë e ndihmojnë të bëjnë përpara. Shoqëritë duhet ta njohin problemin qartë për të bërë diçka kundër saj. Disa firma, siç është “Accenture” apo dhe “Ernest & Young”, e kanë bërë këtë ndërkaq.
- Të vendosin prioritete.Nëse personat udhëheqës interesohen për këtë, do ta bëjnë edhe të gjithë të tjerët. Menaxhimi duhet të jetë në bord. Ato duhet të jenë përgjegjës për barazinë gjinore. Nëpunësit duhet të dinin, se si luftohen paragjykimet. Firmat si Facebook dhe Google ofrojnë edhe trajnime kundër perceptimeve subkoshiente.
- Të krijohen programe, që funksionojnë realisht.Tek “Pricewaterhouse Cooper”, kontrolli i performancës së nëpunësve është bërë në atë mënyrë, që nuk paraqet problem, kur gratë marrin lejen e shtatzënisë.
Sidoqoftë, nuk ka asnjë recetë magjike kundër problemit, mendon Thomas. Nuk mund të krijosh thjesht “grupe të rrjeteve të grave”, apo të thuash se tashmë do të merresh me problemin e thjesht të presësh që ai të zhduket. Raporti trajton pabarazinë mes gjinive, që gjenden në fusha të tjera të jetës së përditshme. Për shembull, gratë raportojnë se ato vijojnë të kontribuojnë më shumë se sa burrat në punët e shtëpisë. E kjo padyshim se sjell më shumë stres.