Basha: Ja gjendja e ekonomisë
Ekonomia ishte kryefjala e një bashkëbisedime të Lulzim Bashës me gazetarët dhe është e qartë që opozita ka një kendvështrim krejt të kundërt nga ai i Kryeministri Edi Rama për gjendjen ekonomike në vend dhe për këtë ajo jep edhe arsyet e saj.
Qëllimin e bashbisedimit Basha e sqaroi që në filli, së pari të tregojë sesi, sipas tij, janë vjedhur 2.2 miliardë euro në dy vite qeverisje të maxhorancës dhe së dyti t’u shpjegojë shqiptarëve sesi dilet nga ajo që e quajti mjerim ekonomik.
“2.2 mld euro janë vjedhur në dy vite, në 2014 dhe në2015. Pjesa e luanit vjen nga abuzimi në Dogana e Tatime”, tha Basha, që e argumentoi këtë duke thënë se pavarësisht rritjes së taksave dhe tarifave doganore, sërish buxhetit i mungojnë 400 milionë euro më pak.
“Spikat në volumin e saj e dyta në abuzimin, plot 500 mln euro, që mendojeni vetë se çfarë mund të bëhej me to”, deklaroi ai.
Të tretën Partia Demokratike radhit prokurimet, ku jo rrallëherë ka akuzuar Qeverinë për korrupsion dhe abuzime.
“Një e treta e prokurimeve janë të drejtpërdrejta, pra nuk ka garë dhe shërbimin me çmimin më të lartë e vendos Edi Rama, para që shkojnë tek njerëzit që Edi Rama u jep tenderat dhe prokurimet, para që shkojnë për luks, ndërsa njerëzit kridhen në mjerim”, u shpreh Basha.
Investimet për luksin e qeveritarëve, Lulzim Basha e quajti skemë për të vjedhur taksat e shqiptarëve. Në total, sipas Bashës, sot janë 88 milionë dollarë që janë përfituar nga një rreth i ngushtë njerëzish të afërt me Kryeministrin, që duke u shtuar edhe 90 milionë dollarë shpenzime luksi, sipas opozitës, do të mjaftonin për hapjen e 25 mijë vendeve të reja të punës.