Basha nga Berlini: Do e transformojmë Shqipërinë në një vend të denjë europian
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Gjermani zhvilloi një takim të zgjeruar dhe më pas një drekë pune me disa nga drejtuesit më të lartë të Bundestagut gjerman, përfshi Kryetarin e Çështjeve Europiane Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Energjisë Andreas G. Lämmel, Kryetarin e Komisionit për Parandalimin e Krizave Thorsten Frei, si dhe Këshilltarin Politik të shumicës parlamentare CDU-CSU Hans-Joachim Falenski.
Partia Demokratike njofton se tema kryesore e bisedimeve ishte plotësimi i kushteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave.
“Politikanët e lartë gjermanë ripohuan qëndrimin e qartë të Bundestagut se ata presin veprime konkrete dhe rezultate të qarta në luftën kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizmit të politikës, zbatimit të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë”, thotë PD në njoftimin e saj.
Basha u shpreh se këto prioritete janë në vetvete jetike jo thjesht për integrimin, por për fatin e qytetarëve shqiptarë të cilët po detyrohen ta kërkojnë të ardhmen duke migruar.
Basha u pohoi zyrtarëve gjermanë se ka ardhur koha që Shqipëria të kapërcejë ciklin e krizave dhe dështimeve të përsëritura dhe të hyjë në një kurs normal zhvillimi që do ta kthejë atë në një vend të denjë europian.
Kreu i PD-së ndau vizionin dhe alternativën e tij për transformimin ekonomik dhe politik të vendit. Ai theksoi se hapi i parë në këtë rrugë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
PD thotë se parlamentarët gjermanë rishprehën edhe një herë mbështetjen e tyre të pandryshuar për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë. Ata theksuan pritshmërinë e tyre se Shqipëria do të përqafojë sa më shpejt rrugën e ndryshimeve.
Kryetari i Partisë Demokratike u prit edhe në Kancelarinë Federale nga drejtuesi i Grupit 21 për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë Globale, Joachim Bertele, z.Knut Abraham përgjegjës për Europën Juglindore dhe z.Mathias Luttenberg, përgjegjës për procesin e Berlinit. Ndërsa në Ministrinë e Jashtme Gjermane Zoti Basha u takua me Christian Hellbach, Drejtor për Europën Juglindore.
Në këto takime, zoti Basha theksoi rëndësinë që kanë për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit, zgjedhjet e lira e të ndershme. Ai i njohu zyrtarët gjermanë me alternativën e opozitës për zhvillimin e vendit, veçanërisht për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ofrimit të kushteve dhe sigurisë për investitorët e huaj.