Basha: Nuk bojkotojmë! PD merr pjesë dhe fiton zgjedhjet
Një ditë pasi prezantoi memorandumin e partive opozitare për zgjedhjet e qershorit, Lulzim Basha mblodhi në selinë e Partisë Demokratike krerët e kësaj partie në rrethe për t’i njohur me këtë platformë.
Pika kryesore e platformës së opozitës, është votimi dhe numërimi elektronik, që sipas Bashës, i jep fund kontestimit të zgjedhjeve.
“Kontestimi i zgjedhjeve ka shoqëruar çdo proces zgjedhor. Votimi dhe numërimi elektronik është fundi i kontestimit të zgjedhjeve mbi bazën e kontestimit të votës, shitblerjes së votës. Me këtë votim çdo shqiptar e ka të garantuar votën e tij apo të saj dhe nuk ja prek votën askush”, deklaroi Basha.
Kreu i PD tha se për këto propozime ka marrë mbështetjen jo vetëm nga anëtarësia e PD.
“Kam marrë me mijëra mesazhe nga qytetarët dhe mbështetësit tanë dhe nga faktorë të tjerë të rëndësishëm, përfaqësues të shoqërisë civile, medias, botës akademike, sipërmarrës madje edhe njerëz publikisht të afishuar si përkrahës të së majtës, që vlerësojnë votimin dhe numërimin elektronik si propozimin më të rëndësishëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme të bërë në Shqipëri në 25 vitet e fundit”, u shpreh kreu i PD.
Basha përjashtoi në mënyrë kategorike bojkotimin e zgjedhjeve.
“Partia Demokratike merr pjesë në zgjedhje dhe zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Nuk ka asnjë skenar tjetër. Partia Demokratike merr pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ne do të fitojmë me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai.
Basha njoftoi gjithashtu se brenda 15 shkurtit strukturat e PD do të angazhohen në një proces të hapur me gjithë shoqërinë për të evidentuar potencialet më të mira njerëzore, profesionale dhe intelektuale për kandidatët në këto zgjedhje.