Basha pret Jahjagën: Përshëndes takimet e shpeshta mes dy qeverive
Në ditën e dytë të vizitës së saj në Shqipëri, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takun me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Kryedemokrati i shprehu falënderimin Jahjagës për vizitën në Tiranë dhe theksoi para së gjithash se “përshëndes takimet e shpeshta mes dy qeverive të vendeve tona”.
Presidentia e Kosovës ka vlerësuar mbështetjen e madhe që PD dhe zoti Basha i kanë dhënë Kosovës si për shpalljen e pavarësisë ashtu dhe për njohjen e saj ndërkombëtare.
Ashtu si dje në qeveri dhe sot në opozitë, Partia Demokratike tha zoti Basha do të vazhdojë të ofrojë të gjithë mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare dhe njohjen nga shtete që ende se kanë njohur Republikën e Kosovës, në mënyrë që të bëhet sa më parë anëtare e OKB-së.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se ndonëse i ka përshëndetur dhe inkurajuar takime më të shpeshta mes dy qeverive, duhet veprim konkret, pasi siç u shpreh dhe presidentja Jahjaga, sipërmarrësit ende përballen me pengesa doganore, me taksa dhe tarifa që shtohen dhe rriten.
Duke u ndalur në zhvillimet në Shqipëri, zoti Basha theksoi se vendi ka bërë hapa pas në standartet demokratike, kusht për integrimin europian, siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, promovimi në nivele të larta drejtuese të shtetit dhe administratës të personave me precedent kriminal, pasiguria juridike, rënia ekonomike dhe më e fundit shkatërrimi i strandarteve të zgjedhjeve.
Lideri i opozitës Basha ka vlerësuar maturinë e treguar nga klasa politike e Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale si një zgjidhje që do tu japë fund akuzave dhe përbaltjeve kundër luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës. Serbia, tha zoti Basha, duhet të përgjigjet për dramën familjare dhe kombëtare të mijëra personave të zhdukur.