Basha: Qytetarët në kufijtë e mbijetesës, kryeministri bredh rrugëve të Europës
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar në Konispol kandidatin për kryetar bashkie, Malo Myrtajn. Më pas Basha është është takuar me banorë të komunës Xarrë. Kreu i Partisë Demokratike thotë se banorët i kanë kërkuar që t’i ndihmojë që tokat e tyre të mos grabiten nga Koço Kokëdhima si dhe i kanë shprehur shqetësimet lidhur me mungesën e subvencioneve, pamundësinë për të siguruar bukën e përditshme, ndërprerjen e ndihmës ekonomike, etj.
“S’kemi marrë as subvencione, asgjë. Më përpara jepeshin 6 milion për ha, tanimë nuk jepen më. Këtu në fshatin tonë janë 60 ha tokë e përmbytur dhe janë 36 familje pa tokë fare sepse i merr Koçua ( Koço Kokëdhima) në mënyrë të padrejtë”, i ankohen banorët kreut të PD-së. Një tjetër qytetar me aftësi të kufizuara thotë se qeveria i ka prerë pensionin. “Unë kam dy fëmijë. Pardje vajta në komision dhe ajo e komisionit më çoi për Tiranë. Unë kam dy fëmijë, jam njeri sakat, me një këmbë ku të ha? Merrja ndihmë sociale 99 mijë lekë, edhe atë ma prenë”, ankohet banori me aftësi të kufizuara. Ndërsa në Delvinë teksa po prezantonte kandidatin për kryetar bashkie Dhurim Alinanin, një qytetarë ka ndërprerë fjalën e zotit Basha për t’i treguar se si ai së bashku me gruan, vajzën dhe të vëllain ishin larguar nga puna. Në Sarandë kryetari i Partisë Demokratike prezantoi Kreshnik Bozhon si kandidat për kryetar bashkie.
“Ndërsa qytetarët janë në kufijtë e mbijetesës dhe si të vetmen zgjidhje shohin emigrimin, kryeministri është kthyer në një turist që çdo fundjavë bredh rrugëve të Europës. Keqqeverisja ka marrë trajtat e pashpirtësisë me mënyrën se si godet më të pamundurit. Duke iu rritur taksat e duke blerë palma, duke iu rritur çmimin e energjisë e duke ndërtuar kulla korrupsioni, duke u shembur të pamundurve djersën dhe gjakun e duke i lartësuar sarajet e tyre nga Surreli i Dajtit e deri në Qeparo. Populli refugjat, kryeministri turist. Edi Rama është kryeministri turist i një populli refugjat”, theksoi Basha. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar në kandidatin për kryetar në Libohovë bashkie zotin Altin Çomo. Basha shprehu bindjen se vota e 21 qershorit do të jetë për projektin e shpresës, që të hap vende pune, të krijon mirëqenie.