Basha, takim me drejtuesit e Vatra: Ja alternativa që ofron PD
Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi një takim me drejtues dhe anëtarë të shoqërisë Vatra, me të cilët diskutoi për situatën në Shqipëri.
Sipas një njoftimi për shtyp të selisë blu, gjatë takimit Basha i njohur bashkëbiseduesit me alternativën e PD për të nxjerrë, siç tha ai, vendin nga kriza dhe për t’iu kthyer shpresën shqiptarëve.
Tre ishin çështjet ku u ndal kryetari i opozitës e për të cilat, sipas njoftimi, mori mbështetjen e Shteteve të Bashkuara: dekriminalizimi, reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
“Kjo qeveri e di që gjykimi popullor po të bëhet sot, apo të dielën e ardhshme do ta nxjerrë menjëherë në opozitë. Ndaj po merr të gjitha masat që t’i rrethojë zgjedhjet e ardhshme me kriminelë dhe me paratë e korrupsionit.
Ato 1 miliard e 200 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit, që nuk u bënë kurrë shkolla, spitale, rroga e pensione e që i bien 400 dollarë për frymë; nga ato 400 dollarë për frymë, këta mendojnë se ditën e zgjedhjeve duke iu ndarë nga 20 apo 15 dollarë për frymë do t’i blejnë edhe katër vitet e ardhshme. Po ta shikojmë vetëm matematikisht, është një biznes i mirë, apo jo?! Merr 400 për vit e kthe 20 për katër vjet.
Por sigurisht është rrënim, shkatërrim i pakthyeshëm i Shqipërisë dhe shanseve të saj për të ecur përpara. Prandaj, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë domosdoshmëria numër një që Shqipëria të ecë përpara dhe këtu kam kërkuar dhe kam marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Basha. Më tej, ai sqaroi:
“Çfarë do të kërkojmë ne konkretisht?
Së pari, votim dhe numërim elektronik për të kufizuar mundësitë e krimit dhe njerëzve të pushtetit që vijnë me trastat e korrupsionit që të blejnë apo intimidojnë votuesit, që të blejnë apo intimidojnë numëruesit e votës.
Së dyti, kufizimin e përdorimit të parasë në fushatë. Duke parë modele edhe të financimit 100% të partive politike nga financat publike dhe kriminalizimin e financimit privat.
Dhe së treti, auditimin strikt të partive politike, jo sa marrin por sa shpenzojnë. Po të shohësh se çfarë shpenzojnë e kupton se interesat e tyre të lidhura me interesat e oligarkëve mundësojnë që në fushatat elektorale të hidhen miliona e miliona euro në çdo qytet, me një qëllim, kapjen dhe blerjen e vullnetit të qytetarëve.
Por parakusht për këtë është zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, nxjerrja e kriminelëve jashtë Parlamentit, jashtë bashkive dhe zyrave të tjera të pushtetit ku kanë ardhur e ku tashmë janë të paligjshëm në raport me legjislacionin e vendit, në raport me ligjin për dekriminalizimin.
Reforma në drejtësi po jo ashtu siç e do kryeministri, që t’i presë këmbët, duart, gjuhën drejtësisë në mënyrë që të mos veprojë aty ku duhet të veprojë sa më parë, ku është lufta kundër korrupsionit. Por një drejtësi të pavarur, profesionale, të trajnuar nga SHBA-të. Një Byro Kombëtare të Hetimit që detyrë të parë të kenë vënien para drejtësisë të zyrtarëve të nivelit të lartë që vjedhin shumat e parave në nivele të tilla marramendëse. E duke bërë këtë deprivojnë fëmijët dhe familjet shqiptare nga buka e gojës, nga vendet e punës dhe nga zhvillimi. Këto janë tre çështjet për të cilat në Uashington kam marrë jo vetëm mirëkuptim por edhe mbështetje të madhe”, tha Basha.
Drejtuesit dhe anëtarët e VATRA-s kanë mbështetur dhe inkurajuar vazhdimin e aksionit politik të opozitës duke ofruar dhe ndihmën e tyre në këtë drejtim.