Bashkëpunimi Rajonal/ Në 2012, një milion vende pune
Pas miratimit të strategjisë “SEE 2020″ në nëntor të 2013, Këshilli i bashkëpunimit rajonal në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë, prezantoi paraditen e sotme, një pjesë të progresit të arritur si dhe instrumentat për matjen dhe vlerësimin e rezultateve.
Në takimin e organizuar morën pjesë Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Goran Svilanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal , dhe Yngve Engström, Shef i Operimeve, pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Para 15 muajsh, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe qeveritë e rajonit njoftuan që deri në vitin 2020 do të krijohen një milion vende pune.
Gjatë këtij aktiviteti u prezantuan edhe rezultatet e para të studimit statistikor “Barometri i Ballkanit”, si dhe një përzgjedhje nga intervista të kryera në rrugët e Tiranës në vjeshtën e vitit 2014.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, gjatë fjalës së tij nënvizoi rëndësinë e mendimit të qytetarëve, pasi për Ahmetaj, një qeveri që nuk dëgjon qytetarët është e humbur.
Ahmetaj tha se “viti 2014 ka qënë vit i vështirë, por ka qenë edhe viti i kthesës ekonomike. Reforma në pensione, në energji, në administratën publike, në klimën e biznesit shënuan kthesë dhe ishin të domosdoshme. Për të zhvilluar vendin kemi nevojë për investime të huaja dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Rritja prej 2.1% e eknomisë si dhe 81 mijë vende të reja pune, përfaqëson angazhimin e qeverisë sonë ndaj qytetarëve. Kur rritja ekonomike kalon 3 apo 4%, ateherë ajo ndjehet më shumë në rradhët e qytetarëve”.
Ndërkaq, Ahmetaj shtoi se “ne kemi dorëzuar pranë Komisionit Europian planin me strategji dhe afate që do ta bëjë qeverinë shqiptarë të ketë një qasje gjithëpërfshirëse.
Gjatë fjalës së tij, Ahmetaj u ndal tek pikat kryesore si inovacioni, zhvillimi i infrastrukturës, transportit, energjisë.Ai theksoi gjithashtu se “shumë shpejt, me qeverinë e Kosovës kemi ndërtuar një aksion për të pasur një treg të hapur për sipërmarrjen kosovare dhe shqiptare”.
Sa i përket përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, për Ahmetajn, në buxhetin e vitit 2015 janë parashikuar 25 milion dollarë vetëm për shërbimet teknologjike dhe dixhitale për shërbimet e qytetarëve.
Nga ana e tij, Goran Svilanović paraqiti rezultatet e raportit, sipas së cilit theksi vihej në dëgjimin e zërit dhe mendimit të qytetarëve.
Svilanović u shpreh se “nëpërmjet opinionit publik ne arrijmë të shohim sesa ndjehet zbatimi dhe zhvillimi ekonomik i një vendi”.
Bazuar mbi rezultatet e raportit, Shqipëria ndër vendet e rajonit, tregon se problematikat kryesore të saj kajnë të bëjnë me njohjen e të drejtave të njeriut. Pyetjes se çfarë mund të bëjnë projektet europiane për Shqipërinë, pjesa më e madhe e shqiptarëve është përgjigjur se këto projekte sjellin perspektivë, mbrojtje sociale , paqe e stabilitet në vend. Nga ana tjetër, për shqiptarët një ndër gjërat më të rëndësishme është edukimi dhe njohja e të drejtave të njeriut. Ndërkaq, vlen për tu theksuar se shqiptarët kanë shprehur optimizimin e tyre, për të besuar në zhvillimin e vendit.