Ekonomia

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, deklaratë në mbështetje të ligjit të dhomave

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë nënshkroi të martën një deklaratë me të cilën iu drejtohet komisioneve parlamentare të Kuvendit për përshpejtimin e procesit të diskutimit e miratimit të p/ligjit “Për dhomat e tregtisë”.

Pas një tryeze diskutimi të zhvilluar të martën në Tiranë, për ndryshimet e reja ligjore të ligjit, BDHTI doli në konkluzionin se qëndrimet e veçuara të grupeve të interesit, të paunifikuara në mënyrë integrale me të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë prodhuar situata kaotike në aspektin e përfaqësimit të sipërmarrjes pranë qeverisë dhe kanë prodhuar vetëm dështim për të arritur objektivat e dëshiruara.

Sistemi i dhomave të tregtisë është subjekt juridik i organizuar sipas ligjit publik për dhomat e tregtisë. Prej disa muajsh, tha Presidentja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, është kërkuar nga ana jonë ndryshimi i këtij ligji me qëllim kthimin në një sistem të pastër sipas modelit kontinental, duke modifikuar nenin 6 në lidhje me anëtarësimin e detyruar.

Edhe kreu i dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka u shpreh se gjatë hartimit të propozimit të mësipërm janë marrë vazhdimisht në konsideratë sugjerimet dhe kërkesat e dhomave të tregtisë sipas qarqeve, ashtu si edhe të sipërmarrjes në veçanti.

Edhe Donika Mici, një prej anëtarëve më të vjetra të dhomës së Tregtisë së Tiranës, vuri në dukje se duhet rritur roli i dhomës, ndërsa mbështeti ligjin e ri të propozuar. Mici tha se sa i përket kuotës, ajo duhet vendosur në bazë të mundësisë që ka biznesi.

Konkretisht, sipas deklaratës së nënshkruar, është menduar të ketë një sërë kategorish të cilat përjashtohen nga pagesa e kuotizacionit vjetor, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të biznesit shqiptar dhe problemet e krijuara vitet e fundit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sipërmarrësit person fizik, bizneseve të reja apo profesioneve të lira, duke i lehtësuar apo përjashtuar nga pagesa e detyrueshme, por duke mos i hequr të drejtën për të marrë shërbime në të ardhmen nga sistemi i dhomave.

Gjatë 2 viteve të fundit edhe pse në mungesë të theksuar të buxhetit, sipas deklaratës, dhomat e tregtisë kanë luajtur një rol kyç dhe të rëndësishëm në adresimin dhe zgjidhjen e mjaft problematikave të krijuara nga administrata shtetërore, por jo vetëm.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, citohet më tej deklarata, ka përgatitur një strategji të qartë të ristrukturimit të brendshëm të tërë sistemit të dhomave, me qëllim rritjen e mëtejshme të rolit të dhomave dhe të impaktit të tyre, zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe standardizimin e tyre në tërë sistemin e dhomave të tregtisë, si dhe gjithëpërfshirjen e sipërmarrjes në vendimmarrje dhe ndërgjegjësimin e tyre për përfitimet që mund të kenë si anëtarë të dhomës.

Takim i dhomave te tregetise.Foto Flor Abzaj (2)Të tjera përgjegjësi që do të marrë dhoma, sipas deklaratës, kanë të bëjnë edhe me rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në marrëdhënie me sipërmarrjen anëtare, si dhe konsolidimin dhe marrjen përsipër jo vetëm të detyrimeve që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare por dhe udhëheqjen e proceseve në nivel rajonal.

Gjithashtu në lidhje me çështjen e shumë debatuar të kuotës vjetore që anëtarësia do t’i paguajë sistemit të dhomave të tregtisë, fryma e ligjit përcakton që është vetë biznesi i cili përcakton kuotën që do të paguajë pranë dhomave. Sistemi i administrimit të dhomave të tregtisë paraqet disa garanci në lidhje me transparencën, llogaridhënien dhe monitorimin në disa nivele.

“Fryma e ligjit si dhe e strukturave të sistemit të dhomave të tregtisë ka qenë dhe do të mbetet bashkëpunuese, mbështetëse dhe transparente me qëllimin e vetëm të konsolidimit të partneritett me këto grupe interesi në dobi të sipërmarrjes shqiptare. Në qëndrimin tonë zyrtar vazhdimisht kemi theksuar se qëndrimet e veçuar të grupeve të interesit, të paunifikuara në mënyrë integrale me të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë prodhuar situata kaotike në aspektin e përfaqësimit të sipërmarrjes pranë qeverisë dhe kanë prodhuar vetëm dështim për të arritur objektivat e dëshiruara”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa p/ligji ka mbërritur në Kuvend, gjatë diskutimit një ditë më parë të tij, kreu i komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Eduart Shalsi tha se ligji do të rishikohet në disa pika të tij. “Mos të mbetemi te thjesht anëtarësimi i detyrueshëm apo jo, por mënyra sesi do të jenë të organizuara Dhomat e Shqipërisë”, tha Jaka.

Ky ligj hasi në kundërshtime nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, por edhe nga Shoqata e Investitorëve të huaj, sipas të cilëve ai cënon pavarësinë e biznesit, duke i vendosur një taksë të fshehtë me kuotën e anëtarësimit.

P/ligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë me propozim të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë parashikon anëtarësimin e detyruar të biznesit pranë Dhomës, kundrejt një kuote, e cila do të përcaktohet nga Asambleja e Dhomës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button