BE bën thirrje për vetëpërmbajtje në Venezuelë
Kriza në Venezuelë duhet të zgjidhet në mënqyrë paqësore, ka thënë e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Nicolas Maduro është shprehur, se disa ushtarë kanë rebeluar, por kryengritja ka dështuar.
Presidenti i vetëemëruar i Venezuelës, Juan Guaido kishtë bërë thirrje për “Operacionin liria” të martën (30.04), për rrëzimin e qeverisë së presidentit në detyrë, Nicolas Maduro. “Sot e kanë ndjekur thirrjen tonë, ushtarë të guximshëm, patriotë të guximshëm, njerëz të guximshëm që e mbështesin kushtetutën tonë”, tha ai në një video të shpërndarë në mediat sociale.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, SPD, që ndodhet aktualisht në një tur në Amerikën Latine, deklaroi, se qeveria gjermane e mbështet si edhe më parë Guaido. “Por ajo që nuk duam ne është që të flasin armët. Ne kemi nevojë për një zgjidhje politike, jo zgjidhje ushtarake”, shkroi Maas në Twitter. Ndërkohë edhe presidenti i Brazilit, Bolsonaro u shpreh se e mbështet “kthesën demokratike” në Venezuelë.
Qeveria amerikane ndërkohë ka bërë të ditur, se ka pasur informacione, në bazë të të cilave, Nicolas Maduro po përgatitej për t’u larguar nga vendi. Por Rusia e ka bindur që të qëndrojë në vend, ka thënë Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo për CNN. “Ka kaluar shumë kohë që është parë Maduro. Ai ka pasur një avion gati në pistë. Siç e kuptojmë ne, ai ishte i gatshëm të largohej sot në mëngjes.” Vetëm pak më vonë, Maduro u shfaq në televizionin venezuelan, ndoshta si reagim pas fjalëve të Pompeos. Ai e deklaroi kryengritjen e disa ushtarëve si të dështuar. “Falënderoj udhëheqjen e ushtrisë për guximin në mbrojtjen e paqes”, tha Maduro.