BE: Dimri i këtij viti do të jetë i vështirë, paralajmërojnë komisionerët e Energjisë dhe Mbrojtjes
Nafta dhe karburanti i aviacionit, të cilat janë thelbësore për transportin dhe për furnizimin e forcave të armatosura, u përmendën nga Komisionerët e Energjisë dhe Mbrojtjes gjatë një konference për shtyp në Bruksel, me temë kryesore informacionin mbi dialogun e nivelit të lartë të Komisionit Evropian me rafineritë evropiane.
Komisioneri Evropian i Energjisë, Dan Jorgensen, përsëriti se “ky dimër do të jetë i vështirë” , duke theksuar se ka masa në tryezën e Komisionit. “Ne presim që tregu global i naftës të mbetet në kushte të ngushta furnizimi deri në vitin 2027, gjë që do t’i mbajë çmimet të larta.”
“Nëse mund të shqyrtojmë disa kërkesa teknike që potencialisht mund të zbuten përkohësisht dhe në një mënyrë të synuar, unë nuk jam kundër kësaj. Por duhet të sigurohemi që këto masa të funksionojnë vërtet dhe të mos krijojnë probleme të tjera.”
Në të njëjtën kohë, duke iu referuar reagimit ndaj çmimeve të larta dhe dialogut me rafineritë për të rritur prodhimin, të cilin e përshkroi si “konstruktiv”, ai theksoi se “industria ka paraqitur propozime të caktuara, të cilat duhet t’i vlerësojmë, pasi qëllimi ynë është të ulim çmimet e karburanteve” .Komisioneri Europian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, nga ana e tij, iu referua një aspekti afatgjatë, por kritik të dialogut të Komisionit me rafineritë, i cili lidhet me furnizimin me karburant të forcave të armatosura, por edhe me përgatitjen e Europës për një luftë, për të cilën, siç theksoi ai, “duhet të jemi të përgatitur”.
Ai shtoi se, ” Furnizimi adekuat i forcave tona të armatosura me karburant është thelbësor për gatishmërinë tonë mbrojtëse . Prandaj, është edhe një herë e qartë se mbrojtja pa karburant është e pamundur. Ne duhet të jemi absolutisht të qartë në lidhje me nevojën për të marrë parasysh kërkesat për karburant ushtarak, me planifikim afatgjatë. Ne duhet të dimë se cilat janë nevojat në kohë paqeje, por edhe cilat do të jenë nevojat në rast të një krize lufte. Prandaj, ne duhet të jemi të përgatitur”.
Kubilius shpjegoi gjithashtu pse duhet të ketë planifikim për një krizë ushtarake, duke theksuar se Komisioni është në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n. “Në kohë paqeje, nevojat ushtarake përfaqësojnë një përqindje relativisht të vogël të konsumit të përgjithshëm. Sipas të dhënave që kemi në dispozicion, kjo përqindje është rreth 8%”.
Megjithatë, në rast krize, këto nevoja mund të rriten shumë ndjeshëm. Për këtë arsye, “nga njëra anë, ne duhet të sigurohemi që në kohë paqeje të ketë një sasi të mjaftueshme karburanti për aviacionin. Nga ana tjetër, ne duhet të krijojmë një sistem që do të garantojë që, në rast krize lufte, ne do të jemi në gjendje të rrisim prodhimin shumë shpejt dhe të kemi rezerva të mjaftueshme për një emergjencë të tillë”, vuri në dukje ai.
Së fundmi, duke iu referuar lidhjes midis energjisë dhe përgatitjes për mbrojtje, ai paraqiti katër pika kryesore. Së pari, kapaciteti i duhur i prodhimit të karburantit, duke përfshirë karburantet e qëndrueshme të aviacionit . Së dyti, ruajtja e kapacitetit të duhur të rafinimit. Së treti, përveç aftësisë për të prodhuar sasi të mjaftueshme të karburanteve të ndryshme për nevojat ushtarake, sigurimi i aksesit në to në rast krize. Së katërti, qëndrueshmëria dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike të karburantit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.