Nga bizneset te pagat dhe karburantet, eksperti i ekonomisë shpjegon paketën e re fiskale
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, eksperti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi ka analizuar paketën e re fiskale, duke u ndalur te ndryshimet në TVSH, tatimi mbi dividendin, tatimin mbi pagat dhe taksat e karburanteve.
Sejdarasi tha se TVSH-ja standarde në Shqipëri është 20% që prej vitit 1995, ndërsa ulja e saj në 6% për disa produkte ka qenë një kërkesë e përsëritur e partive politike. Sipas tij, kjo ka qenë edhe një premtim politik i Partisë Socialiste në vitin 2013, kur ishte propozuar ulja në 5%.
Sa i përket tatimit mbi fitimin e biznesit, Sejdarasi tha se norma mbetet 15%, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit për mosndryshimin e tij. Ai theksoi se paketa fiskale shoqëron buxhetin e shtetit dhe mund të diskutohet me aktorët e interesuar deri më 15 dhjetor.
Një tjetër ndryshim lidhet me pragun e regjistrimit në skemën e TVSH-së, i cili ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Sejdarasi tha se kjo masë prek rreth 17 500 biznese dhe synon formalizimin e tyre.
Për sektorin e hotelerisë, ai sqaroi se rritja e TVSH-së nga 6% në 10% prek vetëm shërbimin e akomodimit dhe jo pjesët e tjera të veprimtarisë.
“Standardi i TVSH-së në Shqipëri, që nga viti 1995, është 20%. Qeveria e ul në mënyrë drastike në 6%. Kjo ka qenë një kërkesë e pothuajse të gjitha partive politike, nga PD-ja deri te PS-ja. Madje, ka qenë premtim politik i PS-së në vitin 2013, që thoshte se do ta çonte në 5%. Tani bëhet 6%.
TVSH-ja standarde, për shkak të uljes dhe balancimit të buxhetit, e ka detyruar qeverinë të rrisë me një pikë përqindjeje TVSH-në për të gjitha produktet, por jo për ato 54 produkte ushqimore bazë.
Sa i përket tatimit të biznesit, kryeministri deklaroi sot se nuk do të ketë ndryshim të tatimit mbi fitimin, i cili është 15%. Por kjo është një paketë që shoqëron buxhetin e shtetit dhe ka të drejtë të diskutohet me të gjithë aktorët dhe faktorët deri më 15 dhjetor.
Edhe te tatimi mbi dividendin ka një debat të madh. Është tatimi që i vendoset personit, jo biznesit, domethënë pronarit. Nga 8% rikthehet në nivelin që ka qenë, 15%.
Pragu i TVSH-së për biznesin, nga 10 milionë lekë, kthehet në 5 milionë lekë. Kjo prek 17 500 biznese dhe ka të bëjë më shumë me formalizimin e biznesit. Nuk e di nëse do të arrihet formalizimi. Kjo do të thotë që të gjitha bizneset që kanë një xhiro prej 5 milionë lekësh deri në fund të vitit do të jenë biznese nën përgjegjësinë tatimore të TVSH-së.
Këto kanë një kosto, pasi bizneset e kësaj natyre, që në përgjithësi janë biznese të vogla dhe të mesme, do të kenë nevojë për disa investime shtesë, duhet të marrin një financim dhe të kenë një kontabilist.
TVSH-ja për hotelerinë, nga 6% në 10%, është thjesht vetëm për akomodimin, nuk është për pjesët e tjera.
Pragu i sipërm i tatimit mbi pagën, nga 200 mijë lekë, bëhet 300 mijë lekë. Kjo është një ndryshim i rëndësishëm, sepse ne jemi akoma një nga shtetet në rajon që tatonim nivelin e pagave me 14% deri në 25%. Është tatimi më i lartë. Kishim një kufi që ishte 200 mijë lekë. Qeveria pretendon që ta çojë në 300 mijë lekë, ndërsa 23% është tatimi për pagat mbi 700 mijë lekë dhe 30% për fashën e re.
Taksa e qarkullimit, që përfshihet në çmimin e karburantit, nuk ndryshon asgjë fare. Ne kemi një specifikë të veçantë, që ta kuptojnë edhe partitë: të gjitha taksat që duhet të paguhen për shërbimet e mjeteve motorike i paguajmë nëpërmjet karburanteve. Kemi 13 tatime dhe taksa që i paguajmë nëpërmjet karburantit. Shumica e shteteve të botës nuk i kanë, rajoni jo e jo.
Nëse Shqipëria bën sistemin që ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, çmimi do të dilte më i lirë sesa në këto shtete. Kjo taksë prej 27% hiqet nga karburanti dhe shkon te dogana. Në zhdoganimet që do të kesh, nuk do të kesh vetëm 20% TVSH, por do të kesh edhe taksat e tjera.
Vendosja e taksës së qarkullimit, pavarësisht se ne kemi kolaudimin, është një histori e gjatë. Në fund të fundit, kjo taksë do të paguhet nga të gjithë ata që kanë mjete motorike. Do të ndryshojë vetëm një tabelë. Pretendohet nga qeveria shqiptare që, në një tabelë që e kemi, nëse sot e kemi çmimin 200, ai do të ulet me 32 lekë. Por kjo hap debat të madh, sepse, për sa kohë që për momentin është Bordi që kontrollon çmimin e naftës, ka një vendim qeverie që thotë se, nëse nafta kalon një prag të caktuar, ulet niveli i akcizës së naftës.
Sa i përket ushqimeve bazë, të gjitha do të shkojnë nga 20% në 6%”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.