Ekonomia

BE i kundërpërgjigjet SHBA-së për tregtinë e lirë

BE-ja dhe partnerë të tjerë tregtarë të SHBA-së kanë filluar të hedhin bazat për përgatitjen e një sfide ligjore ndaj propozimit të taksave kufitare që do të vendosë Amerika, lëvizje e cila nëse ndodh, mund të konsiderohet si më e madhja në historinë e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Lëvizjet e para kanë filluar. Në Kongres, republikanët po mundohen që të bindin Presidentin Trump se duhet të ndërtojë një sistem të ri taksash, i cili duhet të përfshijë edhe një sistem të ri rregullash në lidhje me çështjet kufitare. Kjo nënkupton që importet amerikane do të jenë subjekt i taksave të ndryshme, ndërsa të ardhurat e eksporteve të përjashtohen.

Sipas ekspertëve të taksave, nëse kjo miratohet, atëherë do të jetë tronditja më e madhe në sistemin e taksave të korporatave globale në gati një shekull.

Anëtarët e OBT-së dhe ekspertë tregtarë paralajmërojnë se, nëse SHBA-ja e vë në zbatim këtë sistem të ri taksash, kjo do të çojë në një prej sfidave më të mëdha të sistemit tregtar botëror.

Jyrki Katainen, zëvendëspresident i Komisionit Europian, i cili mbikëqyr politikën tregtare të BE-së, u shpreh për Financial Times se Europa kërkon që të shmangë luftën tregtare me SHBA-në, gjë e cila do të ishte “shkatërrimtare” për ekonominë botërore. Por ai gjithashtu bëri të qartë faktin se BE-ja do të ishte e gatshme të vepronte kundër SHBA-së, si në lidhje me propozimin e vendosjes së taksave kufitare, ashtu edhe për ngritjen e barrierave të tjera tregtare.

Nëse dikush është duke vepruar kundër interesave tona ose kundër rregullave ndërkombëtare të tregtisë, atëherë ne kemi vetë mekanizmat tona për të reaguar kundër një situate të tillë, vazhdoi më tej Katainen.

Nëse Amerika injoron vendimet e OTB-së, ashtu sikundër është shprehur Trump-i gjatë fushatës së tij elektorale, kjo do të çojë në shkatërrimin e sistemit ndërkombëtar, i dizenjuar për të parandaluar luftërat e tregtisë.

Por, BE-ja dhe partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-së janë gjithashtu të shqetësuar për ndikimin e një situate të tillë mbi eksportet e tyre.

Trump ende nuk e ka mbështetur idenë e taksave, për të cilën po inkurajohet gjithnjë e më shumë nga Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kevin Brady, kryetari i Komitetit të Hartimit të Taksave.

Përpjekjet e reformës tatimore të korporatave janë ende në fazat e tyre fillestare ndërsa propozimi i vendosjes së kufijve po has në pengesa të mëdha politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button