BE kritikon lirimin e nacionalistit serb Sheshelj
Rezoluta e Parlamentit Europian për “rastin Sheshelj“ dënon rreptë gjuhën e urrejtjes, kërkon që Haga të rishikojë vendimin për lirimin e tij të përkohshëm dhe porosit Beogradin që ta kundërshtojë një retorikë të tillë.
Përmes rezolutës “Serbia: rasti i të akuzuarit për krime lufte Sheshelj”, Parlamenti Europian dërgon tre mesazhe kryesore. E para është nxitja prej Shesheljit e urrejtjes dhe inkurajimi i pretendimeve territoriale, si dhe përpjekjet për të destabilizuar rajonin dhe largimin e Serbisë nga rruga e saj evropiane. Njëkohësisht Parlamenti Evropian i bën thirrje Tribunalit të Hagës, që për shkak “të rrethanave të reja” të ndërmarrë masat e duhura dhe ta rishqyrtojë vendimin për lirimin me kusht të Shesheljit. Përveç mesazheve drejtuar Hagës Strasburgu i bën thirrje edhe Beogradit, që t’i dënojë dhe kundërshtojë deklaratat e Shesheljit.
Duke theksuar se “retorika politike, gjuha e urrejtjes, pretendimet territoriale ndaj Kroacisë dhe Bosnjë Hercegovinës dhe thirrja për një “Serbi të madhe “nuk janë vetëm fyese, por edhe drejtohen kundër viktimave dhe dëshmitarëve”, parlamentari evropian Andrej Plenkovic, një nga mbështetësit e kësaj rezolute, thotë për Deutsche Wellen: “Fakti se Sheshelji solli në debatin politik dhe në publik një retorikë, që nuk e kemi parë për gati dy dekada, e çon Serbinë por edhe fqinjët e saj në periudhën, për të cilën ne ishim të sigurtë, se e kishim lënë prapa dhe se nuk do të përsëritej më. Prandaj Parlamenti Europian dëshiron që të reagojë menjëherë, fort dhe qartë, në mënyrë që të ndalohet në zanafillë cilido reflektim i mëtejshëm i retorikës së tij.”
Lidhur me faktin se retorika nacionaliste e Shesheljit ka patur ndërkohë ndikim negativ në Bosnjë-Hercegovinë flet dhe raportuesi i Parlamentit Europian për Bosnjë- Hercegovinën, Christian van Preda: “Besoj se bëhet fjalë për një zhvillim shumë problematik të situatës, që përbën një goditje të rëndë emocionale për të gjithë ata, që kanë kaluar përmes vuajtesh në vitet nëntëdhjetë. I kam parë reagimet nga Bosnje-Hercegovina, zemërimin e viktimave dhe i kuptoj ata plotësisht. Kam frikë edhe se deklarata të tilla mund të kenë ndikim negativ në përpjekjet, që bëhen për pajtimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Preda për Deutsche Wellen.
Pritjet prej Serbisë, por edhe mbështetja për të
Në një situatë kur Parlamenti Europian dënon rreptësisht sjelljen e papranueshme të Vojislav Shesheljit, kërkohet edhe nevoja e një reagimi të qartë të të gjithë atyre, që përqafojnë vlerat dhe standardet evropiane. Eurodeputetët janë të bindur se për një retorikë si ajo e Shesheljit nuk ka vend në Serbi, por as në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë Evropën. “Ajo duhet të dënohet prerë dhe unë mendoj se këtë e bën shumica e qytetarëve të Serbisë dhe rajonit”, thotë për Deutsche Wellen, Eduard Kukan, kryetar i komisionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Serbinë.
Edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David McAllister, vlerëson se Rezoluta e Parlamentit Evropian ka për qëllim të “inkurajojë” autoritetet serbe që të dënojnë “çdo prezantim publik të gjuhës së urrejtjes dhe retorikës luftënxitëse”, si dhe të punojnë për mbrojtjen e minoriteteve dhe të drejtave kulturore: “Ne mbështesim të gjitha partitë politike, OJQ-të dhe individët në Serbi, të cilët luftojnë kundër gjuhës së urrejtjes. Prandaj dëshiroj të inkurajoj të gjithë njerëzitë që të kundërshtojnë zotëriun Sheshelj”, tha McAllister në deklaratën për Deutsche Welle. I pyetur, nëse rezoluta e Parlamentit Evropian do të mund të rrezikonte në një farë mënyre procesin eurointegrues dhe rrugën e Serbisë në BE, McAllister shtoi: “Serbia i është përkushtuar në mënyrë të qartë rrugës së saj proevropiane. Ajo është në rrugën drejt BE-së dhe ne gjithmonë do t’i mbështesim të gjitha partitë, individët, apo organizatat, që dëshirojnë ta shohin Serbinë në BE. Prandaj jemi këtu për të dënuar gjërat e këqija, që ka bërë dhe që flet Sheshelji.”
Cila është dhe ku qendron përgjegjësia e Tribunalit?
Krahas vetë prezantimit të Shesheljit, vëmendje zë madhe parlamentarët europianë i kushtuan edhe aktit të lënies në liri të përkohshme të të akuzuarit për krime lufte. Krahas thirrjeve që për shkak të sjelljes së Shesheljit pas lirimit të përkohshëm të “rishqyrtohet një vendim i tillë”, Parlamenti Evropian i bëri thirrje Tribunalit që të përshpejtojë procedurat në rastet e tjera, duke kujtuar se nxjerrja para drejtësisë e të gjithë të dënuarve për krime lufte është kusht i domosdoshëm për një proces të qëndrueshëm pajtimi.
Charles Tanok, anëtar i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Serbinë, shton se Sheshelji, si i paditur për krime lufte, kur është lënë në liri të përkohshme është dashur të angazhohej se nuk do të marrë pjesë në aktivitete politike: “Në vend të kësaj atë e shohim në mitingje ultranacionaliste, ku sulmon Bashkimin Evropian dhe NATO, por mbron Rusinë. E gjithë kjo nuk është e mirë dhe unë mendoj se gjykata ka vepruar shumë keq. Kolegët e mi nga Kroacia kërkojnë një rezolutë, që dënon një gjë të tillë, dhe janë të shqetësuar nga demonët ultranacionalistë të Partisë Radikale në Serbi dhe mundësitë e ndikimit të saj në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.”
Në Bruksel, për shkak të këtij rasti, por duke pasur parasysh edhe të tjera “incidente”, që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në rajon, theksojnë se procesi i stabilizimit dhe i pajtimit në Ballkan nuk ka përfunduar ende. Nga Gjykata e Hagës përgjigjen se rolin kryesor në procesin e pajtimit në vetvete duhet të marrin përsipër udhëheqësit politikë dhe fetarë në rajon.
Në të njëjtën kohë ka edhe nga ata, që nuk shohin “te rasti Sheshelj” shqetësimin kryesor për pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Kështu në analizën e fundit të Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) vlerësohet se qëllimi i lirimit të përkohshëm të Vojisllav Shesheljit është në fakt presioni mbi qeverinë në Beograd për të bashkëpunuar më ngushtë me Perëndimin, apo e thënë më mirë paralajmërim për afërsinë e Serbisë me Federatën Ruse dhe presidentin e saj Putin. Përveç kësaj IFIMES në analizën e saj shtron pyetjen: “Nëse insistimi i përfaqësuesve kroatë për një rezolutë për dënimin e Shesheljit në Parlamentin Europian është presionin ndaj Tribunalit të Hages që të merren vendimë lirimesh në rastin e Jadranko Prliç dhe të grupit Herceg-Bosnja”.