Beqaj dhe Glass: Programe të përbashkëta kërkimore SHBA-Shqipëri për shëndetin publik
Në vijim të vizitës së punës në SHBA, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, u prit dje (24/02/2016) në një takim zyrtar nga z. Roger I. Glass, M.D., Ph.D., Drejtor i Asociuar për Kërkimin Ndërkombëtar në Institutet Kombëtare të Shëndetit të SHBA (NIH – National Institutes of Health) dhe njëkohësisht, edhe Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare “John E. Fogarty” (FIC – John E. Fogarty International Center).
Në vizitën e parë e një zyrtari të lartë të shëndetësisë shqiptare në institucionin më të lartë të shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara, Ministri Beqaj ishte i shoqëruar nga Nënkryetarja e Komisionit për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Deputetja e PS-së, Dr. Klodiana Spahiu, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, znj. Floreta Luli-Faber.
Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shkencore shqiptare dhe hulumtuesve shqiptarë në programe të ndryshme të kërkimit shkencor në fushën e shëndetit publik. Më konkretisht, programi i bashkëpunimit do të përfshijë shkëmbimin e vizitave studimore me kërkues nga Instituti shqiptar i Shëndetit Publik, studiues nga Universiteti i Mjekësisë, si dhe ndihmën që NIH do të ofrojë autoriteteve shqiptare, në hapat e parë të funksionimit të komitetit të etikës që përcakton ligji i ri i barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Në këtë drejtim, nënshkrimi i marrëveshjes së partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri në prill 2015 ofron mundësi për kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve të ndryshme të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe shëndetit publik të dy vendeve, duke krijuar kushtet e nevojshme për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në këtë sektor.
Zyra e Drejtorit të NIH është përgjegjëse për përcaktimin e politikave të agjencisë më të lartë të kërkimit mjekësor dhe shëndetit publik në SHBA, e cila përfshin 27 Institute dhe Qendra kërkimore. NIH është një nga institucionet kryesore të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, e cila shërben si agjencia kryesore federale për kryerjen dhe mbështetjen e studimeve kërkimore bazë dhe atyre klinike mjekësore, si dhe institucioni që hulumton heton shkaqet, trajtimet dhe kurat për sëmundjet e zakonshme dhe të rralla. Ndërsa, Qendra Ndërkombëtare “John E. Fogarty” është pjesë e qeverisë federale të Sheteve të Bashkuara dhe është sektori i vetëm i NIH, misioni i të cilit është mbështetja e shëndetit global.