Beqaj në Kuçovë: Mamografia falas, rritet numri i ekzaminimeve
Më shumë se 10 në 1000 gra të ekzaminuara përfundon në një diagnozë tumori të gjirit. Këto janë të dhënat e disa analizave paraprake, bazuar në gjetjet e fushatës së ndërgjegjësimit tetor-nëntor 2014. Ndërkaq, përfshirja e grave në ekzaminime në vendin tonë ka qenë më e lartë se vitet e kaluara.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vizitoi ditën e hënë, DSHP-në e Kuçovës, për të ndjekur nga afër rezultatet e aktivitetit të ofrimit të shërbimeve të ekzaminimit mamografik të gjirit, nëpërmjet njësive të lëvizshme të mamografisë. Në këto zona, aktualisht kanë akses të kufizuar për të marrë këtë shërbim.
“Ky shërbim i ofruar nga njësitë e lëvizshme të mamografisë, është në përputhje me angazhimet e programit të qeverisë për vëmendje të shtuar ndaj sëmundjeve tumorale, duke ofruar më shumë mundësi për diagnostikim të hershëm”, tha midis të tjerash Ministri Beqaj.
Ndërkaq, ai shtoi se “këto ekzaminime ofrohen pa pagesë, për të rrëzuar kështu barrierat financiare që mund të kenë gra nga shtresa të ndryshme në përmbushje të angazhimit për mbulim universal. Këto ekzaminime ofrohen pranë vendbanimit në zonat më periferike të vendit, për të rrëzuar kështu barrierat gjeografike në përbushje të angazhimit për akses universal, pasi besojmë se ky i fundit e bën të prekshëm mbulimin universal”.
Të dhënat lidhur me aktivitetin e njësisë së mamografive të lëvizshme në zonat me akses të kufizuar ndaj këtij shërbimi shëndetësor për periudhën nga fillimii vitit deri tani, tregojnë për një numër të përgjithshëm prej 500 ekzaminimesh.
Prej dy javësh ofrojnë shërbim me kapacitet të plotë të dy njësitë lëvizëse. Mesatarisht çdo njësi bën rreth 15 ekzaminime në ditë duke bërë të mundur që çdo muaj të mund të ekzaminohen rreth 600 gra.
Aktualisht, njëra prej njësive ndodhet në Ersekë që prej javës së kaluar pasi kreu tre javë në Gjirokastër, ndërsa njësia tjetër, pas Përmetit, ka filluar tashmë punën në Kuçovë. Përveç këtyre qyteteve, është ofruar shërbim edhe në Ballsh (1 javë) dhe Tepelenë (2 javë).
Përsa i përket gjurmimit operativ të proçesit të vlerësimit të mëtejshëm apo të diagnostikimit për rastet e dyshimta, ISHP ka planifikuar që në fund të vitit të kryejë një verifikim përmes krahasimit të emrave të përfshirë në procesin e kapjes së hershme me emrat e përfshirë në regjistrin e kancerit.
Nga të dhënat e disa analizave paraprake, bazuar në gjetjet e fushatës së ndërgjegjësimit tetor-nëntor 2014, vlerësohet se më shumë se 10 në 1000 gra të ekzaminuara përfundon në një diagnozë tumori të gjirit.
Ky tregues rezulton shumë më i lartë se ai i raportuar nga programet rutinë të depistimit me mamografi në vende të tjera evropiane (ku 1000 mamografi primare depistuese prodhojnë jo më shumë se 4 raste zbulimi të hershëm të kancerit).
Kjo duhet te shpjegohet nga fakti i përfshirjes në ekzaminime në vendin tonë të një numri të madh grash me risk më të lartë për kancer në këtë fazë të ndërhyrjes për kontrollin e kancerit të gjirit. Kjo shpjegon edhe numrin e lartë të grave të referuara për ekzaminime shtesë (30-60%). Gratë e ekzaminuara janë të moshës 40-65 vjeç.
Shumica dërrmuese e tyre ekzaminohen për herë të parë, por ka raste grash të diagnostikuara dhe të trajtuara ndërkohë me kancer gjiri, të cilat kanë nevojë për riekzamime periodike pasi janë me risk të lartë rishfaqjeje të kancerit ose kancer të ri.
ISHP bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me DSHP-të dhe spitalet rajonale për organizimin e mini-fushatave lokale të ndërgjegjësimit, menaxhimin e fluksit të grave dhe referimin për ekzaminimet shtesë.