Berisha në SPAK, mesazh për Dumanin: Armiku primitiv i pluralizmit politik
Berisha lexon mesazhin që i la Dumanit: Sivëllait siamez të Irena Gjokës, drejtësia vonon, por nuk harron
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte këtë të hënë, 1 qershor, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të masës detyrim paraqitje.
Në dalje nga SPAK-u, Berisha lexoi dhe mesazhin që i la prokurorit Altin Dumani, duke e cilësuar si një “armik të pluralizmit politik”.
“Armikut primitiv të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, mashtruesit të lindur, drejtësia vonon por nuk harron. Sivëllait siamez të Irena Gjokës, drejtësia vonon, por nuk harron“, u shpreh ai.
Më tej, Berisha vijoi akuzat ndaj ish-kreut te Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, duke u shprehur se nuk e meritonte të kalonte procesin e vettingut pasi ka fshehur pasurinë.
“Rikthehemi pak edhe tek kryevetori, se ju e morët vesh që kur u ndërpre vetingu, Dumani u emërua si kryevetor i Shqipërisë. Ky kryevetor është një mashtrues i pafytyrë, i paskrupull, pa dinjitet. Ky kryevetor thotë se me datën 18.8.2006, bëri kontratë porosie, pra që do ndërtohej në vitin 2006, në një godinë pallat pesëkatësh 127.14 metër katrorë me shumën simbolike 50 mijë euro. Por në faqen 8 të aktmashtrimit të tij, Dumani deklaron se ka filluar të banojë në këtë apartament prej tetorit të vitit 2004. Pra thotë kontratën për blerje apartamenti e kam bërë me 18.8.2006, thotë në apartament kam filluar të banoj prej tetorit të vitit 2004. A mund ta zbërthejë kush këtë mashtrim ordiner dhe qëllimet e këtij mashtrimi vulgar? Dhe ky ka kryesuar institucionin kryesor të akuzës së vendit. Dhe ky është përgjegjës për vetingun e prokurorëve dhe gjykatësve.
Më thoni ju mua, ka ky njeri fytyrë, dinjitet, autoritet të kapë një dosje në dorë kur ndodhet para një mashtrimi të tillë që e nxjerr përnjëherësh jashtë nga shërbimi i tij? Ky është vetingu i Dumanit, që ta dinë ata qindra gjykatës dhe prokurorë që janë larguar, ca me të drejtë, ca me të padrejtë, se ja kush e ka bërë vetingun e tyre. Dhe thotë se ka blerë në vitin 2006 me 390 euro.
Ky person kërkon bashkë me këtë xhelatin e Sigurimit të Shtetit, Krajën, që ndërtimet e viteve ’70 të kohës së diktaturës të vlerësohen me çmimet e tregut të vitit 2026.
Tani, ju që jeni gazetarë investigativë, u bëj thirrje të ndërmerrni një investigim ndaj këtij njeriu se i bëni një shërbim te madh, megjithëse u garantoj se kjo dosje do ta ndjekë atë gjer ditën e fundit të jetës së tij.
Për këtë mos ketë dyshim se edhe Irena arriti të tejkalojë, arriti, të mos përdor një term banal, KLGJ-në, ILD-në, Olsin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe me radhë, por erdhi puna dhe i ngeci në sharrë. Dhe ju, mediat, u ftoj prapë ta merrni atë dosje, të shihni se çfarë abuzimi të tmerrshëm ka në veprimtarinë e këtyre organeve, të cilat duhet të jenë të paktën në raport me ligjin, shembulli i zbatimit të tij“, tha ai.
Kujtojmë se SPAK akuzon Berishën se ka ndikuar përmes ligjeve dhe akteve nënligjore në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, për të favorizuar dhëndrin e tij dhe përmes këtij të fundit është korruptuar. Akuzat janë mohuar prej tyre, duke i konsideruar si politike.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.