Berisha publikon: Ja 20 makinat luksoze të baronit të drogës Ermal Hoxha
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar pamjet e disa makinave luksoze, për të cilat ai garanton se janë “të baronit të drogës”, Ermal Hoxha.
Nisur nga burimet e veta, ish-Kryeministri Berisha është përpjekur të japë fakte dhe të hedhë dritë, mbi të arrestuarit e laboratorit të kokainës në Xibrakë e veçanërisht, mbi nipin e Enver Hoxhës, Ermal Hoxhën, të cilin ai e ka lidhur që në krye me organizatën “Hakmarrja për drejtësi”.
Berisha shkruan sot në Fb, duke postuar edhe fotografitë që i sjell si prova, se “policia po bën gjithçka për të ndihmuar në zhdukjen e provave; po fsheh parkun e baronit të varfër të drogës.”
Mesazhi i Berishës në FB
“Parku i makinave të baronit të drogës Ermal Hoxha ka rreth 20 vetura luksi me çmim nga 60 – 170 mijë euro copa! Të dashur miq, avokati Asad, pas seancës gjyqësore të Ermal Hoxhës, organizatorit kryesor të grupit të kokainës, bandës së “Partisë Hakmarrja për Drejtesi”, menaxherit të uzinës më të madhe në Ballkan, jo të nitratit, por të kokainës, iu deklaroi shqiptarëve se klienti i tij ishte një i papunë, i pastrehë dhe për pak sa nuk i shkau goja të thoshte se ai kishte vetëm 3 mijë euro kursime (fiks sa miku për kokë i prindërve të tij, Edvin Kristaq Rama).
Për të faktuar pretendimet publike të avokatit Asad, policia e partisë po bën gjthçka për të ndihmuar në zhdukjen e provave. Kështu, Policia e Partisë po fsheh parkun e baronit të varfër të drogës Ermal Hoxha në Durrës prej 20 autoveturave luksoze me çmim nga 60-170 mijë euro secila. Në fotot poshtë keni disa prej tyre që dëshmojnë se sa i varfër është në të vërtetë klienti i avokatit Asad! Partia Siçiliste është në këmbë për të nxjerrë Ermalin, viktimë politike të Berishës, siç e quajti Zonja e Zezë në deklaratën e saj!”