Berisha: Shqipëria nuk plotëson kriteret e BE, integrimi mbështetet për arsye gjeopolitike
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe përhapje të gënjeshtrave të përsëritura.
Në një videomesazh, Berisha u ndal tek çështjet e transparencës në tenderat publikë, krahasimet e Ramës në një konferencë ndërkombëtare, marrëdhëniet historike me Rusinë dhe procesi i integrimit europian.
Berisha tha se sipas vlerësimeve ndërkombëtare, Shqipëria ka pësuar një rënie të ndjeshme në standardet e prokurimeve publike.
“Transparenca ka rënë në 50 pikë dhe 40% e tenderave shënohen me flamuj të kuq,” u shpreh ai, duke akuzuar persona të afërt me kryeministrin për përfitime të paligjshme.
Lideri demokrat kritikoi gjithashtu Ramën për krahasimin e shqiptarëve me talebanët gjatë një konference në Talin, duke e cilësuar këtë si “fyese dhe të papranueshme”.
Sipas tij, moderatori i konferencës hodhi poshtë tezat e Ramës, gjë që u prit me duartrokitje nga audienca.
Në vijim, Berisha kundërshtoi pretendimin e Ramës se Shqipëria nuk ka pasur kontakte historike me Rusinë, duke përmendur mbi 12 vizita zyrtare ndër vite, përfshirë edhe vizitën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në vitin 2004.
Sa i përket integrimit europian, Berisha theksoi se opozita e mbështet procesin për arsye gjeopolitike, por Shqipëria nuk i plotëson kriteret e anëtarësimit.
“E vërteta është se, opozita ka një tezë nga e cila nuk lëviz, se Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik nuk plotëson absolutisht asnjë kriter për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por opozita e mbështet këtë proces si një proces të diktuar nga gjeopolitika dhe kurrë ndonjëherë nuk ka menduar dhe nuk mendon të bllokojë procesin. Rezoluta nga alfa tek omega nuk ka asnjë fjalë vlerësimi për punën e qeverisë apo të parlamentit, por thjesht rreshton kërkesat dhe detyrat të domosdoshme për procesin e integrimit.,” tha ai, duke shtuar se opozita nuk ka menduar dhe nuk mendon të bllokojë këtë proces.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.