Berisha: “Territorialja” u bllokua nga Rama. PD ka gati raportin 400-faqësh për reformën
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se po paraqet në Kuvend në mënyrë të kundërligjshme raportin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Berisha tha se raporti që po prezantohet është hartuar vetëm nga socialistët dhe nuk përfaqëson punën e përbashkët të komisionit.
“Në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision. Ky raport, që kanë sjellë socialistët, është një raport që nuk është paraqitur në komision. Pra, është një raport që paraqitet absolutisht kundër ligjit”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, puna e komisionit po zhvillohej sipas një axhende të dakordësuar mes palëve, me konsultime me qytetarët, por procesi u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga kryeministri Edi Rama.
“Çdo gjë po ecte sipas një axhende të miratuar bashkërisht për konsultat me qytetarët. Edi Rama ndryshon menjëherë qëndrim kur e pa se në mbarë Shqipërinë qytetarët po kundërshtonin reformën që ai kishte bërë dhe e kuptoi se edhe projektin e tij nuk do ta miratonte njeri. Ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e përbashkët në komision dhe tani do të paraqesë raportin në mënyrë të kundërligjshme”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha bëri të ditur se opozita ka përgatitur një raport alternativ prej mbi 400 faqesh, por nuk e ka bërë publik, pasi synonte që ai të shqyrtohej në praninë e përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
“Ne kemi raportin tonë, 400 e sa faqe, por kemi qenë seriozë dhe nuk kemi bërë publike propozimet, sepse donim që të ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, të cilët do të ishin broker në variantet që do të paraqiteshin”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.