FOKUS – Kremlini: Po punohet për organizimin e bisedimeve trepalëshe Putin-Trump-Xi në Kinë
MOSKË, 3 nëntor /ATSH-AA/ – Kremlini zyrtar deklaroi sot se po punohet midis Moskës, Washingtonit dhe Pekinit për të organizuar takim trepalësh të presidentëve rusë, kinezë dhe amerikanë më vonë këtë muaj.
“Po punohet për organizimin e një takimi të tillë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për “Financial Times”.
Raporti bën të ditur, duke cituar njerëz të njohur me situatën në Washington, Pekin dhe Moskë, se zyrtarët kanë zhvilluar bisedime serioze për organizimin e një takimi trepalësh në margjinat e Samitit të ardhshëm të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në qytetin kinez Shenzhen më 18-19 nëntor.
Ai citoi Ministrinë e Jashtme kineze të thoshte se Pekini është në kontakt me palët përkatëse në lidhje me një takim midis presidentit kinez, Xi Jinping dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, por nuk përmendi një takim të mundshëm trepalësh që përfshin presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Raporti vë në dukje se është e paqartë nëse të tre palët po bisedojnë së bashku ose nëse Pekini po zhvillon bisedime dypalëshe me Washingtonin dhe Moskën. Ai citoi njerëz të njohur me situatën, të cilët paralajmëruan se Kina nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë me takimin trepalësh.
“Një person i njohur me bisedimet tha se Washingtoni dhe Moska po i bëjnë presion Kinës që të bie dakord për një takim. Ministria e Jashtme kineze muajin e kaluar tha se nuk kishte asnjë informacion për të ofruar lidhur me një samit të mundshëm trepalësh”, shtoi ai.
Muajin e kaluar, ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov tha se asnjë palë nuk e ka përjashtuar një takim të mundshëm midis presidentëve Putin, Trump dhe Xi në margjinat e Samitit të APEC-ut.
Ushakov u tha gazetarëve pas një takimi midis Putinit dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff më 21 tetor se tema e takimit të mundshëm, për të cilin ai tha se “ngriti interes kaq intensiv global”, u diskutua gjatë negociatave të tyre në Shën Petersburg.
Ndërkohë, Peskov u tha gazetarëve gjatë një konference për mediat të hënën se plani i Putinit për Samitin e APEC-ut është ende duke u përgatitur, duke vënë në dukje se nuk ka ende informacion specifik lidhur me një takim të mundshëm trepalësh në margjinat e ngjarjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.