BERLIN – Steinmeier & Stubb: Evropa të përfshihet në negociatat për Ukrainën
BERLIN, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, kanë kërkuar që vendet evropiane të përfshihen në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp sot në Berlin.
Stubb u shpreh se pret përparim nga takimi i së enjtes i të ashtuquajturit “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, një grup prej më shumë se 30 shtetesh të krijuar për të mbështetur Ukrainën përballë Rusisë.
Sipas tij, synimi është që negociatat të kenë një strukturë të qartë, një kalendar të përcaktuar dhe një agjendë konkrete.
Presidenti finlandez theksoi se diskutimet duhet të përqendrohen në disa çështje kryesore: garancitë e sigurisë për Ukrainën, çështjet territoriale, paketat e mbështetjes, masat për ndërtimin e besimit dhe mundësinë e një armëpushimi.
Pas përfundimit të luftës, sipas tij, mund të zhvillohen edhe bisedime më të gjera për sigurinë evropiane.
“Ju nuk mund të diskutoni për territorin pa Ukrainën. Nuk mund të diskutoni për sigurinë pa Evropën”, deklaroi Stubb, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të të dyja palëve në vendimet që lidhen me të ardhmen e tyre.
Edhe presidenti gjerman Steinmeier mbështeti përfshirjen e Evropës në procesin negociues.
Ai theksoi se kjo nuk është çështje prestigji apo formaliteti, por lidhet drejtpërdrejt me garancitë e sigurisë që do të përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës dhe të kontinentit.
Sipas tij, Evropa mund të pranojë vetëm garanci sigurie në negociatat e të cilave ka marrë pjesë vetë. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.