Berlini në 1937 – Një mrekulli njerëzore
Cila ishte jeta në kryeqytetin e Rajhut të Tretë, para se të niste Lufta e Dytë, parë nga sytë e një gazetari amerikan, i cili më pas do të bëhej pjesë e makinerisë së propagandës naziste
Në studimin e tij me titull “Berlin Calling: American Broadcasters In Service To The Third Reich” ose në shqip: Ju flet Berlini!, transmetues amerikanë në shërbim të Rajhut të Tretë), të amerikanit John Carver Edwards, ai përmend edhe emrin e njëfarë Douglas Chandler, i cili njihej ndryshe edhe me emrin Paul Revere.
Më vonë ai do të rekrutohej nga propaganda naziste e kohës për qëllimet e veta, së bashku me shumë kolegë të tjerë, gazetarë e reporterë, të cilët fillesën e kësaj veprimtarie me sa duket e patën ndërsa kundronin pamjet madhështore të Berlinit në ndryshim, në “vitet e arta të qeverisjes naziste”.
Ne sot nuk do të merremi me çështjen se si dhe kur u rekrutuan Chandler e shokët e tij nga shërbimet e fshehta naziste, porse na u duk me interes të veçantë të botonim një pjesë të rrëfimeve të tij për Berlinin e vitit ’37, një vit pas zhvillimit të Olimpiadës
së famshme, të fundit të paraluftës, për të parë nga afër atmosferën e ndryshimet e atyre kohëve në kryeqytetin e Rajhut të Tretë, parë nga sytë e një amerikani, pa u bërë ende pjesë e makinerisë së propagandës naziste. I destinuar të sjellë gjithnjë ndryshime e të përjetojë rritje, por edhe katastrofa, ai vijon të mbetet i veçantë edhe sot e kësaj dite.
Më poshtë, disa pasazhe nga reportazhi i tij me titull “Berlini në ndryshim”, botuar në “National Geographic Magazine“, në shkurt të vitit 1937, vëllimi LXXI, Nr.2, ku ai përshkruan me hollësi gjithçka ka parë e përjetuar ato ditë në Berlin:
Avioni ynë, një “Douglas” dymotorësh i linjës ajrore zvicerane, shushuriste pa ndonjë dridhje të ndjeshme në ajrin e kristaltë të atij mëngjesi shtatori. Pasi kaluam breza të njëpasnjëshëm banesash urbane mes sheshesh të begata gjethnajash të gjelbëruara, një pjesë të tërë fabrikash tullëkuqe me oxhaqe të stërgjatë që dilnin kërcënueshëm prej tokës dhe përfundimisht një rrëmujë ndërmarrjesh e blloqesh banesash, piloti ynë e zbriti çafkën e tij shndritëse metalike me një ulje të sprovuar mbi fushën e aeroportit të Tempelhofit.
Aeroporti, me hap ushtarak
Berlini është me fat që ka këtë aerodrom plot hapësirë për trafikun e vet ajror brenda kufijve të qytetit. Marifeti për këtë fat s’ishte gjë tjetër veç pasionit të Frederikut të Madh për të kundruar hapin e shtrirë ushtarak të parakalimeve. Kur, 150 vjet më vonë, nismëtarët e aviacionit mundën forcën e rëndesës dhe caktuan
shpërblime mbi rrafshet tokësore pranë qyteteve, sheshi i parakalimeve ushtarake të Frederikut, vetëm sa priste të shërbente si fushë e rrugëve ajrore.
Zonja flokargjendë me të cilën u njoha rastësisht në avionin kryqkuq në bisht, u takua me burrin e saj. Pas prezantimit, ajo këmbënguli që t’i shoqëroja në veturën e tyre deri në hotelin ku do të qëndroja unë. “Qytetin do ta gjesh në gjendje shndërrimi”, – tha ajo teksa shpejtonim rrugës.
“Trajtat e vjetra pompoze arkitektonike po zbehen pak nga pak. Unë jam berlineze vendase, por nuk më vjen keq për ndryshimin. Në fakt, jam e gëzuar që shoh ‘Epokën e Re’ të zhvillojë një stil realist që i përqaset së miri nevojave të sotme praktike”.
U habita me këtë shprehje tolerance ndaj ngacmimit të traditës. Por kjo ishte veçse njëra prej habive të mia. “Eja të darkosh me ne pasi të kesh marrë ca frymë”, thanë mikpritësit e mi, ndërsa më lanë në adresën që u kisha dhënë. Pranova me ngrohtësi dhe i përshëndeta me dorë nga trotuari.
Dita e Majit – Në shesh për të dëgjuar Hitlerin
Harlisur e zbukuruar me stemën e kryqit të thyer dhe rrethuar nga trupat, podiumi duket atje tej, mbi shkallët e gjera të Muzeut të Vjetër. Në të djathtë duket njëri cep i Katedrales së Berlinit. Në mes, Druri i Majit, zbukuruar me flamuj e svastika, përfaqëson
rigjallërimin e një tradite të vjetër popullore që më parë ruhej e gjallë, kryesisht në zonat rurale.
“Berlini nga A në Z”; drejt metropolit vigan
Elementi hutues i karakterit të Berlinit është thjeshtësia e tij e skajshme. Ndokush fillon e mendon ndërlikime e ndërthurje të ndryshme, të cilat kupton më në fund se nuk ekzistojnë. Qyteti është aq i paprekur dhe aq i arsyeshëm, sa vetë gjuha e folur nga banorët e tij. Përpara se të kuptosh se ku rreh zemra e Berlinit si qytet, duhet të lësh mënjanë çdo koncept kryeqyteti.
Duke qenë se shtrihet mbi një sipërfaqe të madhe, vizitorët e rastësishëm të Berlinit mund të mos e vënë re trafikun e pamasë të këtij lumi. Por një shikim i shpejtë mbi hartën e plotë, tregon se sa lehtësohet kryeqyteti nga kanalet dhe lumenjtë që e lidhin atë me detin, si dhe me qytete të tjera në brendësi të tokës.
Berlini, sistem i përsosur transporti
Berlini renditet i katërti nga qytetet botërore për sa i përket popullsisë, duke pasuar Nju Jorkun, Londrën dhe Tokion. Vini re anomalinë e një tokëzimi urban me tërësi popullsie prej 4.220 000 frymësh, një qytet që mund të mburret për sistemin e transportit më të përsosur në botë, me çdo lehtësi që dhuron shkenca sot – e megjithatë që përmban në vetvete si më poshtë: dyqind mijë qe (që japin një të
tretën e furnizimit me qumësht), 30 000 derra, 10 000 dhi, 700 000 pula, 180 000 lepuj, 5 800 bletarë, vetëm tre a katër ndërtesa që munda të dalloj deri në 10-katëshe, 12 mullinj ere që janë në punë e sipër dhe mbi 100 000 kopshte ndanë banesave, të vjelat e të cilëve parashtrojnë numra vjetorë tepër imponues si p.sh. 46 000 tonë patate dhe sasi të ngjashme perimesh të tjera e drithi.
Krahasimi më Manhatanin ngushtak
Këto “Shreber Garten”-e të vegjël u sigurojnë punëtorëve lidhje të menjëhershme me tokën, e cila është aq e dashur për gjermanët. Me anë të tyre mbahet dhe trupi në formë përmes ushtrimit si dhe ulet çmimi i ushqimeve. Në krah të çdo kopshti ka nga një shtëpizë për ruajtjen e pajisjeve.
Këtu përqendrohen edhe orët e pushimit me ditët e fundjavës për familjet e Berlinit. Në kohë krize, këto shtëpiza ishin shpëtimtare për njerëz që, në një situatë tjetër, do të kishin mbetur të pastrehë. Lëvizja e ashtuquajtur “Shreber Garten”, që është përhapur në shumicën e qyteteve gjermane, u themelua më 1864 nga një bamirës që e emërtoi kështu për nder të Shreberit, një fizikani të njohur të asaj kohe.
Toka në disa raste pronësohet nga bashkia, në disa të tjera nga shteti, por iu jepet për shfrytëzim banorëve (bashkë me veglat dhe farat përkatëse) për një çmim simbolik.
Bliri dhe dashuria për pemët
Brigjet e lumenjve janë mbjellë dendurazi me pemë. Radhë të tëra bliri dhe rrapi shoqërojnë shumicën e rrugëve. Parqet publike duken si ushtri pemësh në formacion të ngjeshur, mes të cilave gjarpërojnë rrugica e shëtitore. Pjesëtari më i madh i familjes së pemëve është bliri. Dallohet po ashtu në numër i madh pemësh të mirënjohura për ne amerikanët si: panja, vidhi, gështenja (mjaft e dashur për gjermanët), lisi, plepi dhe mështekna.
Një përllogaritje totale e përafërt e pemëve mbi rrugë e sheshe – duke përjashtuar krejt parqet – arrin shifrën e gjysmë milionit. Dashuria e berlinezëve për pemët është aq e thellë, sa në shumë raste, kur vetë aparati bashkiak nuk ka mundur të japë fondet e mjaftueshme, banorët kanë paguar nga xhepi i tyre mbjelljen e fidanëve të rinj ndanë rrugëve të tyre.
Ditëlindja e Fyhrerit
Përmes periskopëve, turma e mbledhur në “Tiergarten” ndjek parakalimin për ditëlindjen e Hitlerit, më 20 prill 1936. Tërhequr nga 6 kuaj të zgjedhur, armët e rënda me rrota të hekurta gjëmojnë mbi rrugën e shtruar. Asnjë automjet tjetër nuk e ka këtë tingull karakteristik të artilerisë. “Tiergarten”-i, një park pyjor mbushur me kalimtarë dhe kalorës, shtrihet nga të dy anët e “Sharlotenburger Shose” dhe dallon për nga përmendoret dhe shtatoret e shumta.
Kohë ndryshimi
Megjithëse në zhdukje e sipër, për shkak të taksive, disa karrocierë berlinezë vazhdojnë ende të mbijetojnë. Duke pritur udhëtarin e radhës, karrocieri i moshuar i bën qejfin kalit të tij me një grusht sheqer. Kuajt e bardhë janë të rrallë, për shkak se besëtytnitë folklorike thonë se është keq të ngasësh pas kalit të bardhë. Të respektuara, por në shumë raste jo dhe aq të bukura, pikat referuese të kohëve të kaluara po flijohen ndaj kërkesave të trafikut bashkëkohor.
Skela ngrihen mbi ballinat e mjaft ndërtesave, të cilat më së shumti nuk do të shkatërrohen, por thjesht do t’i nënshtrohen një rikonstruksioni të domosdoshëm.
Bashkia, një ndërthurje vigane me tulla të kuqe, sapo e ka rimarrë veten në ngjyrë gjaku dhe paksa e ndezur, nga një larje tërësore me avull dhe acide pastruese. Aty ku shihet e arsyeshme, ndërtesat e vjetra që mbartin plot vlera, ruhen me ngulm. Marshimi i kohës nuk ka hyrë ende në lagjen e Kishës së Shën Nikollës, ku mund të hasësh
çudi të tilla arkitektonike si “Knoblauch Haus” (ose ndryshe “Shtëpia e hudhrës”) – me pamjen e jashtme të stilit rokoko dhe bashkëkohoren lakmuese, “Ephraim Haus”.
Mëson nga arkivat e “Maerkishe Museum”-it se kjo e dyta u ndërtua nga Fajtel Efraimi, një matrapaz i kohës së Frederikut të Madh. Ai ndihmoi shtetin e cenuar dhe po ashtu grumbulloi pasurinë e tij duke prerë e lëshuar në treg talera (monedha të vjetra të argjendta gjermane – shpjegim i përkth.) të mbiquajtura “efraimite”, të cilat ishin prej bakri, por të lara me një cipë të hollë argjendi në sipërfaqe.
Habia nga shtatoret e shumta
Këtu, edhe vetë maja e ndërtesës kryesore të Universitetit të Berlinit, ish-pallati i Princ Hajnrihut të Prusisë, është përplot me shëmbëlltyra njerëzore. Kjo seli mësimore që sot numëron 7,000 studentë është relativisht e re, në krahasim me disa universitete të tjera europiane, dhe hapjen e parë të dyerve të saj e shënon më 1810.
Ka shumë amerikanë që studiojnë këtu. Në të majtë dallojmë një mësuese dhe nxënëset e saj, duke qëndruar përballë përmendores së Karl Vilhelm fon Humboldtit, vëllait të eksploratorit të njohur dhe themeluesit të Universitetit të Berlinit.
Përgatiti: Armand Plaka
Emrat e rrugëve me shkrimtarë, muzikantë e gjeneralë
I rehatuar në dhomën tavanlartë të hotelit që m’u sugjerua, vendosa të mësoj të orientohem në qytet me anë të një libri të vogël me ngjyrë të blertë, “Berlini nga A në Z – Udhëzues zyrtar”. Ndërsa i vërtita sytë mes listës me abc-në e rrugëve të qytetit, kuptova se para meje përmblidhej jo më pak sesa vetë historia e Mark-Brandenburgut. Fitoret e rëndësishme në fushëbeteja dhe gjeneralët që i fituan ato, emrat e kontëve, princërve e mbretërve, grindjet e trazirat fetare dhe prijësit e tyre, shpikësit, shkencëtarët, poetët, piktorët, filozofët e muzikantët; personalitete të shquara të qeverisë së re – këto dhe një sërë ngjarjesh dhe individësh të tjerë shënohen mes emrave të 9 500 rrugëve brenda qytetit. Rruga “Luter” dhe ura “Luter”! Ja dhe reformatori ynë heroik i qytetit të vogël të Vitenbergut! Shpallja e tij solli dy shekuj më vonë një numër të madh kalvinistësh francezë në Brandenburgun protestant. Kështu mund të gjesh në qytet, “Rrugën Franceze”, me kishën e saj franceze e po ashtu, edhe shkollën franceze në të cilën ende dhe sot flitet frëngjisht. Le t’u hedhim një vështrim rastësor disa emrave nga kjo listë: Rrugët “Agrikola” dhe “Apostel-Paulus”, sheshi “Aleksander”, “Barbarosa”, “Beethoven”, “Bismark”, rrugët “Blyher” dhe “Kalvin”; një larmi Fridrihësh; rrugët “Galvani” dhe “Gëte”, rrugët “Judenhof” dhe “Gutenberg”, ura “Herkules”, Banka Helgoland, rruga “Jerusalem”, “Krup”, “Robert Koh”, rruga “Rëntgen”, rrugët “Sejdlic” dhe “Rihard Vagner”, ura “Vaterlo”, sheshi “Uashington” etj. Këtu ka mjaft material për admiruesit e historisë………!
Më shumë lumenj dhe më shumë pemë
Aty qëndron fuqia më e madhe e Berlinit, që bën për vete dhe zemrat e banorëve. Dy lumenjtë, Havel dhe Shpre, me dredhimet e tyre kryeneçe, krijojnë së bashku një rrjet të lundrueshëm që bën të mundur vajtjen në shumë pjesë të qytetit përmes ujit. Këta përrenj të vegjël me degëzimet e tyre, që lidhen përmes kanalesh me Elbën dhe Oderin (lumenj në Gjermani: shënim i autorit), ndërlidhen duke mundësuar transportin e mallrave me avullore dhe lundra ngarkese në cepat më të largët të vendit. Berlini, me përjashtim të Duisburgut, ka tonazhin më të lartë ngarkesor nga të gjitha qytetet që nuk kanë dalje në det në Gjermani. Më shumë se 5 milionë tonë mallra u shkarkuan në port në 1935-n, prej të cilëve 1 300 000 u ridërguan tjetërkund. Përmes rrugëve ujore, nën urat e harkuara – prej të cilave Berlini numëron 1 006, më shumë se dhe Venecia italiane – rrëshqasin lundra të gjata prej druri ngarkuar me qymyr, lëndë ndërtimi, naftë e një numër i pafund prodhimesh të tjera. Një numër i madh lundrash me fruta vijnë nga krahinat, duke sjellë mollë, dardha dhe pjeshkë. Në disa raste, këto ngarkesa tregtohen drejtpërdrejt nga lundra që ndalon në pika të ndryshme të volitshme brenda qytetit.
“Unter den Linden”
Rruga e famshme e blirëve dhe metroja
Ndryshimi më i madh në këndvështrimin fizik të qytetit është ai që shihet tek “Unter den Linden”. Kjo shëtitore e gjerë, për shkak të ndërtimit të metrosë, është zhveshur nga pemët e saj të famshme. Rrënjët e tyre ishin aq të thella, sa në traditë, aq dhe në tokë, saqë pengonin “njerëzit urithë” të hapnin tunelin e tyre nëntokësor. Këta “bajlozë” të nderuar u gërmuan plot kujdes dhe u rimbollën në pjesë të tjera, më mikpritëse, të qytetit. Vendin e tyre e ka zënë një rresht katërfish fidanësh të rinj. Sa të ndrojtur dhe të pamjaftueshëm që duken! Gjatë ditëve të hareshme të Lojërave Olimpike, këta blirë të vegjël u lanë në hije prej radhëve me shtylla të gjata prej ku valëviteshin në mes të verës kilometra të tëra flamurësh festivë. Por, sot që lavdia e atyre ditëve reshti, këtyre fidanëve do t’u duhet të durojnë erërat e dimrit në sikletin e tyre të fshehtë. Dorotea, gruaja e Eklektorit të Madh, ishte shkaku i kësaj shëtitoreje, dhe po ajo vetë mbolli pemën e parë të blirit aty, më 1861. Mbase do të ishte më e ndershme që t’i jepnin shëtitores emrin e saj dhe jo të pemës që mbolli. Megjithatë, kjo u ndreq duke e emërtuar me emrin e saj rrugën paralele të “Unter den Linden”-it, një bllok më lart drejt Veriut.