Bernie Sanders njofton kandidaturën për zgjedhjet presidenciale
Listës së demokratëve që duan të përballen me Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, iu shtua të martën edhe senatori Bernie Sanders, i cili njoftoi pjesëmarrjen në garë.
Zoti Sanders u përpoq të siguronte emërimin e Partisë Demokrate në zgjedhjet e vitit 2016, por ai e humbi garën brenda partisë me ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.
77-vjeçari Sanders mundi të sigurojë mbështetje të madhe, pasi bëri të njohura planet për ta bërë arsimin e lartë falas dhe premtoi që qeveria ta zgjerojë rolin e saj, për t’u siguruar shërbim shëndetësor të gjithë amerikanëve.
Bernie Sanders hyn në garë krahas me një një numër të madh demokratësh, të cilët tashmë e kanë shpallur kandidaturën një vit para se të fillojë periudha e zgjedhjeve paraprake të 2020-ës.
Në mesin e demokratëve që kanë deklaruar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale janë senatorët Elizabeth Warren, Cory Booker, Amy Klobuchar, Kristen Gillibrand dhe Kamala Harris.
Senatori i shtetit verilindor të Vermontit e njoftoi kandidaturën të martën në mëngjes, përmes një emaili dërguar përkrahësve të tij, ku kërkonte regjistrimin e 1 milion njerëzve, për të filluar një lëvizje të bazës së partisë, për t’iu kundërvënë interesave speciale.
Zoti Sanders, një kritik të vazhdueshëm i Presidentit Trump, shkruan në email se Donald Trump është “presidenti më i rrezikshëm në historinë moderne të Amerikës”. Ai shton: “Ne do të kandidojmë kundër një Presidenti, që është gënjeshtar patologjik, një mashtrues, racist, seksist, ksenofob dhe një njeri që po e minon demokracinë amerikane, ndërsa na udhëheq drejt autoritarizmit.”
Bernie Sanders është në mesin e politikanëve, të cilët në anketat e publikut, kryesojnë listën e kandidatëve të mundshëm demokratë për zgjedhjet e 2020-ës, por ai përballet me sfida nga një grup i madh demokratësh të tjerë me pikëpamje progresive, të cilët mbështesin shumë nga çështjet që zoti Sanders solli në Partinë Demokrate në fushatën zgjedhore të 2016-ës.
Numri i madh i liberalëve që janë në garën e demokratëve, mund t’ia bëjë të vështirë zotit Sanders, që të sigurojë të njëjtën mbështetje që pati në fushatën e tij të vitit 2016. Ai gjithashtu mund të përballet me pikëpyetje për çështjen e moshës dhe me faktin që Partia Demokrate po përfaqësohet në garën presidenciale nga një numër në rritje grash dhe pakicash, grupe të cilat zoti Sanders e pati të vështirë t’i siguronte si mbështetëse në garën e vitit 2016.