Opinion

“Beteja e Kalinjingradit” dhe “Çështja e seksit”

Nga: Bardhyl MAHMUTI

Deklaratat fyese të Mustafa Nanos ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit kanë pezmatuar një numër shumë të madh simpatizuesish të këtyre dy futbollistëve. Përderisa një shtet i tërë (Serbia) ishte mobilizuar për ta fituar “betejën e Kalinjingradit”, që duhej të dëshmonte “epërsinë serbe” ndaj “koalicion ndërkombëtar” të shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve, mercenarët e kësaj beteje vazhdojnë ta vajtojnë humbjen.

Nga të gjitha prononcimet e Mustafa Nanos në TV ABC, në TV Dukagjini dhe në revistën Mapo, do të veçoj kualifikimin e gjestit të këtyre dy sportistëve si “fyese ndaj zviceranëve më shumë sesa ndaj serbëve”. Mustafa Nano nuk u ndal me kaq. Ai u mundua ta vërë veten në pozitën e një qytetari zviceran dhe pohon publikisht se “po të isha zviceran, do të provoja një lloj parehatie prej faktit që një lojtar i skuadrës përfaqësuese të vendit tim feston me simbolika të një kombi tjetër”. Për të ilustruar parehatinë e tij, Mustafa Nano citon deklaratën e deputetit të parlamentit zviceran, Roger Köppel. Ky deputet i UDC-së, i njohur për pikëpamjet e veta raciste, deklaroi: “Kur pashë Xhakën e Shaqirin që, ndonëse mbanin veshur fanellën me ngjyrat e Zvicrës, po bënin shqiponjën shqiptare me dy kokë, u ndjeva ligsht. M’u duk vetja si të isha duke bërë seks me gruan, dhe kjo e fundit, teksa unë isha në prag të orgazmës, mes gulçeve e ofshamave ia bën: “Oh, oh, oh, Jean-Luc!”. Imagjinoni se si mund të ndihem në këtë rrethanë, kur jam i sigurt që emri im nuk është Jean-Luc”.

Nga deklaratat raciste të Roger Köppel-it janë distancuar edhe vetë zviceranët. Por kjo nuk e nxit Mustafa Nanos, sepse edhe ky, njëlloj sikurse racisti i UDC-së, ka ndier parehati nga gjesti i Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit!

Nuk do të përsëris atë që kam shkruar lidhur me këtë temë në dy shkrimet e mia të mëparshme, sepse e shoh të parëndësishme të përpiqem të bind mercenarët e makinerisë propagandistike serbe në mediat shqiptare. Për këtë kategori njerëzish dëshiroj të shkoqis vetëm një aspekt.

Është e qartë se gjesti i shqiponjës dykrenore është gjest identifikues, i zhveshur nga çdo konotacion provokues, që kënaqi miliona njerëz anekënd globit tokësor.

Çështja pse një numër i konsiderueshëm serbësh, mercenarësh të llojit të Mustafa Nanos dhe racistësh të kategorisë së Roger Köppel-it nuk janë ndier rehat, dhe pse dikujt i është dukur se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë “bërë seks me gratë dhe nënat e tyre”, janë çështje që nuk kanë lidhje me sportin dhe as me politikën. Psikanaliza mund t’i shpjegojë Mustafa Nanos, të dashurit të tij, Zoran Panoviçit, Roger Köppel-it dhe kopilëve të këtij lloji se ku qëndrojnë arsyet e parehatisë së tyre!

Në fund po e përfundoj këtë shkrim me fjalët e ish-presidentes së Konfederatës Zvicerane. Në një intervistë për gazetës Sontags Blick, zonja Micheline Clamy –Rey deklaroi: “Nuk mund të dëshmosh besnikëri më të madhe se nëpërmjet shënimit të golave për Zvicrën. Askush nuk mund t’i detyrojë ata të hedhin nga dritarja origjinën dhe të kaluarën e tyre. Që të dy lojtarët janë zviceranë, por rrënjët e tyre janë në Kosovë dhe kjo nuk është aspak kontradiktore. Sidomos jo në Zvicër”.

Gjestet e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit mund t’i duken fyese dhe kontradiktore vetëm racistëve dhe mercenarëve!

Sikur të kisha të drejtë të nxirrja nga konteksti gjestin e këtyre dy sportistëve të shkëlqyer, atëherë do t’u thosha: Ju lumtë, që i çmendët fare! I bëtë që të dyshojnë se vërtetë keni fjetur me gratë dhe nënat e tyre!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button