Biblioteka Kombëtare, drejt zgjerimit të hapësirave
Kremtohet 95-vjetori i Bibliotekës Kombëtare. Rama premton rikthimin e pjesëve të shkëputura këto vite
Biblioteka Kombëtare do të zgjerohet, duke iu kthyer pjesët e “humbura” gjatë këtyre viteve. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së 95-vjetorit të krijimit të këtij institucioni. “Do t’i kthejmë Bibliotekës Kombëtare pjesën e amputuar nga barbarizmi. Për të zhvilluar një projekt të ri dhe për të transformuar më tej këto hapësira, duke inkurajuar punën e drejtores së re të Bibliotekës Kombëtare”, tha Kryeministri Rama. Duke folur për transformimet e shumta të bëra këto vite, ai tha se më i ndjeshmi ishte cungimi i Bibliotekës Kombëtare, këputja e trupit të saj dhe ndarja e godinës së bibliotekës, një pjesë për vazhdimin e aktivitetit të saj dhe një pjesë tjetër për të zhvilluar aktivitete komerciale që s’kanë lidhje me Bibliotekën Kombëtare dhe asnjë lidhje me misionin e potencialin e madh të gjithë kësaj godine. “Sot është imperative që kapacitete fizike të Bibliotekës Kombëtare të bëhen të plota dhe dy pjesët e ndara të ribashkohen. Ne jemi të angazhuar në këtë proces dhe do t’ia rikthejmë”, tha Rama. Pas rikthimit të hapësirave të munguara këtij institucioni dhe duke folur për sfidat e kulturës këto vite, Kryeministri tha se projekti i radhës do të jetë transformimi i sallës së Teatrit të Operës dhe Baletit dhe ndërtimi i teatrit të ri kombëtar. Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quajti sfidë përmirësimin e rrjetit të bibliotekave qytetase, ku roli i Bibliotekës Kombëtare është i rëndësishëm. Në fjalën e saj, drejtoresha e bibliotekës, Persida Asllani, pasi bëri një histori të institucionit, tha se sot biblioteka vjen me një fond prej 1.2 milionë librash, me një qarkullim rreth 200 mijë njësi në vit me gjashtë mijë anëtarë, ku 57% janë të rinj, ndërsa vazhdon të pasurohet çdo ditë me tituj të rinj. 95-vjetori i krijimit të Bibliotekës Kombëtare u shoqërua dhe me hapjen e një ekspozite “Biblioteka e bibliotekave”, e konceptuar si një nderim për bibliotekat private apo kolektive, përmes të cilave është ngjizur pjesa më e vlefshme e fondit të albanologjisë. Ndër bibliotekat më të spikatura të kësaj ekspozite janë ajo e Lumos Skëndos, e Françeskanëve, Bushatllinjve, e Mitrush Kutelit, Aleks Budës etj. Gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri i ka dhuruar bibliotekës edhe albumin me pikturat e tij. “Drejtori im sqimatar i protokollit më këshilloi që të dhuroja diçka për këtë ditë dhe dhurata ime është modeste. Ju dhuroj albumin e shkarravinave të mia. Po ia dhuroj bibliotekës, nuk imponoj ta regjistroni në arkivin dixhital të bibliotekës, por të mbetet në tavolinën e saj të punës. Do të jetë drejtorja që do të vendosë nëse e lë në arkiv apo e merr në shtëpi”, u shpreh Kryeministri Rama. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare i dhuroi Kryeministrit botimin bibliofilik, librin e artë “Historia e Skënderbeut”, të Marin Barletit, me të cilin Shqipëria përfaqësohet në rrjetin e bibliotekave kombëtare europiane.