Bie ndjeshëm besimi në ekonomi në tremujorin e dytë
Kriza e zgjatur politike ka sjellë një përkeqësim të besimit të bizneseve dhe konsumatorëve në ekonomi…
Treguesi i ndjesisë ekonomike2 (TNE) shënoi nivelin 111.4 në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke rënë me 9.7 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Niveli më i ulët i TNE-së pasqyroi rënien e treguesve të besimit në shërbime dhe në tregti, ndërkohë që besimi i bizneseve të ndërtimit, të industrisë, si dhe besimi i konsumatorëve rezultoi i përmirësuar. Me gjithë këtë zhvillim, niveli aktual i TNE-së në tremujorin në analizë vazhdon të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij dhe më lart nivelit të shënuar në të njëjtën periudhë një vit më parë (grafiku 1).
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) vijoi të rritet me 4.5 pikë përqindje për të dytin tremujor radhazi (grafik 2). Rritja e TBI-së pasqyroi kryesisht dinamikën pozitive të balancës së kontratave porositëse (+10.1 pikë përqindje), dhe një masë më të vogël rritjen e dy komponentëve të tjerë formues të treguesit – balanca e prodhimit (+1.2 pikë përqindje) dhe e gjendjes së inventarëve (-2.1 pikë përqindje3 ). Midis balancave të tjera të vrojtimit, gjendja financiare e bizneseve të sektorit rezultoi e përmirësuar. Një nivel më të lartë shënoi edhe balanca e pritjeve për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm, ndërkohë që pritjet për punësimin shënuan rënie të lehtë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.5 pikë përqindje kundrejt vlerës së tremujorit të mëparshëm, por niveli i saj, rreth 74.4%, mbetet 2.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vazhdoi tendencën rritëse edhe në tremujorin e dytë (+1.7 pikë përqindje), duke e zhvendosur atë lehtësisht mbi mesataren historike të tij (+1.2 pikë përqindje) (grafik 2). Të dyja balancat përbërëse të TBN-së, kontratat porositëse dhe aktiviteti ndërtues, rezultuan më të larta kundrejt tremujorit të mëparshëm, përkatësisht me 2.6 dhe 0.7 pikë përqindje. Vlerësimet e bizneseve në sektorin e ndërtimit për gjendjen financiare u përmirësuan në tremujorin në analizë. Rritje shënuan edhe balancat e punësimit dhe pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim rezultoi 63.6%, rreth 1.9 pikë përqindje më lart se një tremujor më parë, por ende nën mesataren historike të saj (me -0.5 pikë përqindje).
Pas rritjes për tre tremujorë radhazi, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) rezultoi me rënie (- 18.0 pikë përqindje) në tremujorin e dytë të këtij viti4 . Megjithatë, niveli i TBSh-së qëndron mbi vlerën e shënuar një vit më parë (+17.1 pikë përqindje) dhe mbi mesataren historike (+9.5 pikë përqindje (grafik 4). Dinamika e TBSh-së i atribuohet rënies së balancave të tij formuese, kërkesës (-19.0 pikë përqindje) dhe ecurisë së biznesit (-17.4 pikë përqindje). Ndërkohë, edhe balancat e tjera që nuk përfshihen në ndërtimin e treguesit agregat, si ato të gjendjes financiare të bizneseve dhe të punësimit rezultuan më të ulëta në tremujorin në analizë. Pritjet e bizneseve për kërkesën në tremujorin e ardhshëm qëndruan në të njëjtin nivel me periudhën e mëparshme, ndërsa pritjet për punësimin shfaqën një përmirësim të lehtë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rënie me 8.1 pikë përqindje në tremujorin e dytë, duke qëndruar rreth nivelit 71.7%. Kjo normë rezulton 4.8 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) ra me 3.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë. Me gjithë dinamikën rënëse të treguesit, TBT-ja mbetet mbi mesataren historike (+1.0 pikë përqindje) (grafik 5). Rënia e TBT-së pasqyroi nivelet më të ulëta të balancave që formojnë treguesin, ecuria e biznesit (-5.5 pikë përqindje) dhe pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (-2.3 pikë përqindje). Edhe balanca e gjendjes financiare të bizneseve të sektorit shënoi rënie. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të rritura. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi një rritje të lehtë me 0.4 pikë përqindje krahasuar me vlerën e tremujori më parë. Megjithatë, bizneset në këtë sektor vijojnë të shfrytëzojnë kapacitetet e tyre me një normë nën mesataren historike të saj (-5.7 pikë përqindje).
Treguesi i besimit konsumator (TBK) u rrit me 1.2 pikë përqindje në tremujorin e dytë. TBK-ja qëndron rreth 3.3 pikë përqindje mbi mesataren e tij historike (grafik 6). Të katër komponentët e TBK-së kontribuuan në kahun rritës për vlerën e treguesit. Më konkretisht, balancat formuese të TBK-së u rritën me përkatësisht: +1.9 pikë përqindje balanca e situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend; +1.6 pikë përqindje balanca e situatës financiare të pritur të familjes; +1.0 pikë përqindje balanca e blerjeve të mëdha dhe +0.2 pikë përqindje balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve.