Ekonomia

Bie taksa e “shisheve”, hiqen nga lista ambalazhet plastike e qelqi

Nga Zamir Alushi

ambalazhet_1Qeveria tërhiqet nga e ashtuquajtura “taksë e shisheve”, e cila u propozua me projektligjin “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve”. Pas konsultimit javën e kaluar me grupet e interesit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese pranë Kuvendit, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka pranuar që në listën e mbetjeve për të cilat do të aplikohet ky ligj, të mos jenë ambalazhet plastike, prej qelqi dhe letre. “Unë jam plotësisht dakord, nëse do ta shihni të arsyeshme të bëjmë ndryshimet e nevojshme në këtë ligj që ne kemi propozuar. Pra, pjesë e sistemit të përcaktuar në pikën 1 nuk do të jenë mbetjet që krijohen nga ambalazhet”, deklaroi ministri i Mjedisit, Lefter Koka. “Unë e kam theksuar, se nëse ky ligj do të marrë miratim në Parlament, do të përcaktohen se cilat do të jenë mbetjet që do t’i nënshtrohen. Duhet të ketë studim të thelluar fizibiliteti për çdo lloj mbetjeje, i cili do të përcaktojë nivelin e kësaj takse të paguar, pjesëmarrjen e qeverisë në kuota jo më shumë se 50%, por jo në të gjitha produktet”, shpjegoi Koka. Megjithatë, ministri këmbënguli që ligji të miratohet dhe të aplikohet për vajrat, bateritë dhe gomat e përdorura. “Të qëndrojmë në vend, do të thotë të vazhdojmë të mos dimë se ku shkojnë 8 mijë tonë vaj makinash. Shkojnë të derdhura në kanale. Janë 500 mijë makina dhe nuk dimë se sikur nga një gomë të ndërrojnë në vit, 500 mijë goma, nuk dimë se ku shkojnë. Të jeni të bindur se diku përdoren për djegie. Për bateritë e makinave është i njëjti shqetësim. Mbetjet elektrike, elektronike, sot janë një shqetësim në botë dhe menaxhohen në mënyrë të kontrolluar”, tha Koka. Në lidhje me projektligjin, Shalsi deklaroi se mbas diskutimeve intensive i është kërkuar ministrisë të përgatisë analiza të sakta dhe bindëse për mënyrën sesi do të funksionojë ky sistem. “Kemi pikëpyetje legjitime për efikasitetin e ndërhyrjeve të tilla në ligj. Do të shohim nëse analiza do të mund të na shpjegojë të gjitha ato pikëpyetje, që ngritëm në komision. Më pas do të marrim një vendim, konform bindjes sonë”, u shpreh Shalsi. Ndërkohë, tha Shalsi, nga grupet e interesit presim një propozim për riformulimin e një neni, të cilin do ta sjellin me shkrim. “Ideja është që ligji do t’i hapë udhë menaxhimit të mbetjeve të produkteve të tilla si vajrat, bateritë, gomat. Derisa të sqarohet qëndrimi për produkte, si plastika apo qelqi, ligji mund të miratohet për një seri tjetër produktesh për të cilat jemi të bindur, se ligji mund të funksionojë”, njoftoi deputetët Shalsi lidhur me qëndrimin ndaj draftit. “Ne kemi një rrugëdalje për mënyrën, si mund të vijojmë për shqyrtimin e ligjit. Nga diskutimet e deritanishme, shqetësimi ka qenë për 3 produkte: për shishet, plastikën dhe kanoçet. Nuk kemi hasur kundërshti për produkte, si gomat, bateritë, pajisjet elektronike apo vajin”, tha Shalsi. Përfaqësuesi i Shoqatës së Ushqim-Pijeve tha se taksa që ishte parashikuar nga qeveria 20 lekë për shishe është tronditëse, sepse tejkalon koston e produktit. Pra, dyfishohet kostoja e plotë e shisheve, çka do të thotë që të dyfishojmë çmimet në treg dhe t’i detyrojmë qytetarët që t’i ngarkojnë në krah për t’i çuar në pikën e grumbullimit. Problemi i dytë që krijohet ka të bëjë me rritjen e çmimeve të lëndëve të para për industritë ricikluese nga rreziku që sjell sistemi i ri monopol kundrejt një konkurrence të lirë. Edhe deputeti i PD-së, Genc Ruli, ishte dakord me kompromisin e gjetur. “Produktet e tjera që janë edhe me të dëmshme, si: bateritë, gomat dhe të gjitha elementet e elektronikës që kemi në shtëpitë tona, që nga televizorët e të tjerë, të cilët nuk dimë ku t’i hedhim (do të presim natën për t’i rrasur në ndonjë qoshe rruge), kanë një vlerë më të madhe dhe kanë një taksë më të madhe. Kur goma e mbaron funksionin, shifra 20 mijë lekë të vjetra nuk duket pak. Kalojmë te bateria, ku do të kemi të njëjtën gjë. Ia ndien leverdinë, edhe sikur të shkosh 5 km tutje dhe ta rimbursosh. Te artikujt e përdorimit të përditshëm, kanoçe, plastikë dhe qelq, kam përshtypjen se sistemi do të pësojë fiasko, pasi nuk do të arrijë të bëjë ekstensionin kapilar”, tha deputeti Ruli. Ky është projektligji i dytë i qeverisë që kthehet mbrapsht brenda ditës në këtë komision. Drafti tjetër, mbi krijimin e një inspektorati të ri për tregun e naftës, u vlerësua se kishte paqartësi në pjesën e kompetencave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button