Bien eksportet, 5 miliardë lekë më pak si 3-mujor; ndikojnë mineralet
Eksportet e mallrave ranë me 12.8 për qind në muajin mars, të ndikuara nga ecuria negative në zërin “minerale, energji dhe lënë djegëse”, si dhe atë të materialeve të ndërtimit.
Instituti i Statistikave raportoi se në total kompanitë shqiptare eksportuan muajin që lamë pas 19.3 miliardë lekë mallra nga 22.1 miliardë lekë që ishte shifra në marsin e vitit të kaluar. Ndërsa në total si tremujor, eksportet janë këtë vit 5 miliardë lekë më të ulëta se e njëta periudhë e vitit të kaluar.
Prej dy vitesh eksportet shqiptare janë penalizuar nga rënia e fortë e çmimit të naftës në tregjet globale, si një nga produktet kryesore që Shqipëria shet jashtë, por së fundmi edhe nga rënia në grupin e materialeve të ndërtimit.
Sipas Instat, në tremujorin e parë të vitit, eksportet e këtyre dy grupeve ishin së bashku gati 100 milionë dollarë më të ulëta se vjet. Por rënia e fortë e tyre është zbutur nga ecuria pozitive e industrisë së fasonit dhe produkteve bujqësore, që vazhdojnë të rriten në trend dyshifror.
Shkëmbimet tregtare të vendit kanë patur një ecuri më pozitive në kahun tjetër, atë të importeve. Sipas Instat, për tremujorin importet u rritën me 3.8 për qind, ku bie në sy rritja e makinerive dhe pajisjeve që përdoren për investimet e reja të biznesit.