Politika

“Big Brother” na vëzhgon! Në terren, ambasadorët kryesorë dhe 283 monitorues të huaj

283 është numri i vëzhguesve ndërkombëtarë, sytë e të cilëve do të jenë në të gjithë Shqipërinë minutë pas minute, duke nisur nga ora 7 e së dielës, kur shqiptarët do të nisin të japin verdiktin për qeverisjen lokale.

Peshën më të madhe të monitorimit do ta mbajë OSBE-ODIHR, organizatë e cila edhe do të certifikojë këto zgjedhje.

Zëdhënësja e misionit të OSBE-ODIHR në Tiranë, Elma Sehaliç tha për Top-Channel se, në terren do të jenë 202 vëzhgues nga 32 vende anëtare të ODIHR-it. Këshilli i Europës ka dërguar në Shqipëri 27 vëzhgues, ndërsa Instituti Demokratik Amerikan 6 të tillë.

Ndërkohë që pjesë e monitorimit janë edhe ambasadat e akredituara në Tiranë. Numrin më të madh të vëzhguesve që kanë zbritur në terren e mban Ambasada Amerikane, me 26 vëzhgues dhe 36 përkthyes.

Ndërsa numri 2 i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Henry V. Jardine, mendohet se gjatë të gjithë ditës së diel do të jetë në zonën e Kurbinit dhe Krujës. Romana Vlahutin, numri një i misionit të BE-së në Tiranë, do të vëzhgojë ecurinë e zgjedhjeve në Durrës e Kavajë.

Mësohet se ekipet e vëzhguesve të delegacionit të BE-së do të vizitojnë një numër njësish në të gjithë vendin, përfshirë zonat e Tiranës, Vorës, Shkodrës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Vlorës dhe Himarës.

Ambasadori gjerman, Helmut Hoffman dhe homologia e tij holandeze Dewi van de Weerd do të jenë në Vorë, Kamëz dhe Krujë.

Ai anglez Nicholas Cannon dhe ai francez Bernard Fitousi kanë zgjedhur të monitorojnë Tiranën. Italiani Masimmo Gaiani, përveç kryeqytetit, do të mbikëqyrë edhe Durrësin.

Ndërsa ambasadorja e Spanjës, Silvia Josefina Martin Cortes do të jetë në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë, i dërguari me punë i Suedisë, Patrik Suenson fillimisht do të jetë në Himarë e më pas në Sarandë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button