Binomi Berisha – Basha fatkeqësi e Shqipërisë

Që në zanafillë lëvizja e fuqishme popullore kundër diktaturës komuniste Hoxhiane nisi shumë keq. Presidenti i fundit i famëkeqes PPSH ngarkoi me detyrë që të printe revoltën studentore, komunistin e vendosur, sekretarin e partisë të Fakultetit të Mjekësisë, doktorin Sali Berisha. Ku dëshira e zjarrtë e popullit ”E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe ku i rrihte mendja e komunistit të vendosur Sali Ram Berisha?! Atij i erdhi një dhuratë e madhe nga qielli për të qenë i pari i Shqipërisë. U bë, ashtu si idhulli i tij Enver, shkopi i dirigjentit i PD-së, shpresës së madhe të një populli që vuajti mbi 50 vjet nga një diktaturë mizore. Ky njeri nuk mund të ”sillte” Evropën në Shqipëri deri sa ishte rritur dhe edukuar me frymën e bajraktarizmit dhe komunizmit. Mendja e tij anonte nga Moska dhe jo nga Washingtoni pa çka se përbetohej për liri dhe demokraci, duke ngritur dy gishtat lart para popullit dhe kamerave që i kishte aq për zemër. Pra, e ardhmja e PD-së, shpresës aq të madhe të popullit u minua. Shenjat e para i dha shumë herët deri sa dy vjet më parë degjeneroi 100 përqint duke anatemuar direkt dhe Washingtonin. Pas njëçerek shekulli të këqiat Shqipërisë po i vinin sërish nga SHBA-ja?!
-
Grupimi i Bashës, që duket si më i heshtur dhe i përmbajtur, nuk është aspak më pozitiv se ata të Rithemelimit. Kjo për faktin e thjeshtë se si Berishizmi dhe Bashizmi janë një binom i pandarë përsa i përket si drejtimit të partisë dhe mënyrës korruptive qeverisëse. Nuk ka mundësi që Basha të bëhet tjetër njeri kur për më shumë se 10 vjet ka qenë një Berishë pak më i qetë dhe i frenuar, po ama aspak demokrat. Për korrupsion akuzohet idhulli i tij, po për pasuri jo të pakta populli dhe shtypi ka folur edhe për Bashën. Madje thonë se pronat i ka në emër të gruas ose të tjerëve… Ec e vërtetoje?! Ama gënjeshtra që paratë e lobimit ia dhanë dhuratë shqiptarët e Amerikës, i doli. Mund t’i dalin edhe abuzimet e përfolura për rrugën e kombit…Mbase dhe heshtja e tij për 21 janarin kur ai ishte Ministri i Brendshëm.Këta njerëz nuk mundet kurrsesi të shërojnë PD-në të sëmurë kaq rëndë. Të gjithë ata që i kanë mbajtur dhe i mbajnë iso binomit Berisha-Basha nuk mund të ringjallin PD-në dikur aq të adhuruar nga populli. Ka për t’i takuar një brezi tjetër politikanësh të rinj me prirje të ndershme Perëndimore që kanë për ta ngritur këtë parti nga hendeku ku e kanë fundosur keqas Berisha me Bashën. Me shkatërrimin e PD-së ata nuk kanë dëmtuar rëndë vetëm të djathën. Dëmin më të madh ia kanë bërë Shqipërisë. Nuk është aspak normale që edhe për të tretën herë radhazi të majtët të kenë shansin të qeverisin vendin. Përpara një të djathte të përçarë dhe me deputetë rrugaçë, jo për të tretën herë, po edhe për të pestën herë populli nuk ka për t’i votuar. Populli nuk do ta dijë as për rotacionin as dhe për gënjeshtrat kundër qeverisë, kur ato janë të tilla. Populli e vlerëson çdo qeveri nga përpjekjet që bën për të zhvilluar vendin, për të rritur pagat, për ta shndërruar Shqipërinë në kantier ndërtimi dhe në një vend që njerëzit nga gjithë bota vijnë për të pushuar.Në këto çaste, jo aq të këndshme, po më kujtohen fjalët e Profesorit tim të nderuar Shaban Demiraj, i cili në një intervistë televizive në vitet 1990, tha, ndër të tjera se ne nuk jemi të përgatitur për demokracinë. Kishte të drejtë deri sa lamë për shumë vite që binomi Berisha-Basha ta përdhoste atë. Jo vetëm ata. Ka shumë përdhosësh të demokracisë deri sa partitë janë shndërruar në prona private të kryetarëve të tyre, deri sa me kushtetutë nuk i vëmë kufi njerëzve që duan të qëndrojnë përjetësisht në pushtet. Shembulli më i qartë dhe më i mirë është ai i SHBA-së kur Presidenti nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë, qoftë edhe sikur ai të ketë zbritur nga qielli.Petro Dhimitri



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.