Opinion
Binomi SPAK – Berisha i dhuruan fitoren Rames

Më 20 maj 2025 përfundoi edhe numërimi i votave të Diasporës. Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike 50, PSD 3, Mundësia 2, Nisma Shqipëria Bëhet 1 dhe Bashkë 1. Shifrat tregojnë qartë se më 11 maj Edi Rama arriti një fitore plebishitare. Votuan për të jo vetëm zgjedhësit e Shqipërisë, po edhe ata të diasporës: SHBA, Kanada, Itali, Angli, Francë, Greqi dhe kudo në botë ku ndodhen të shpërndarë si zogjtë e korbit. 61.14 për qind e tyre votuan për Partinë Socialiste dhe vetëm 23.54 për qind për Partinë Demokratike.
Ky sukses kaq i madh i PS-së, nuk ka pse t’i faturohet Edi Ramës si arritje vetjake. Në asnjë mënyrë. Për fitoren e tij ndihmuan si pas kuintave thuajse njësoj SPAK-u dhe vetë Berisha.
Pse them SPAKU? Për ish zëvendëskryeministrin Ahmetaj, për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Meta, për disa ministra dhe kryetarë bashkish të PS-së, SPAK-u edhe pa siguruar të gjitha provat, i ka prangosur ata funksionarë të lartë të shtetit, kur mund të hetoheshin në gjendje të lirë, sepse nuk paraqitnin asnjë rrezik për shoqërinë. Në këtë praktikë juridike alla shqiptarçe bën përjashtim vetëm Sali Ram Berisha. Edhe pse për të ka prova që ulurasin SPAKU nuk e ka arrestuar. E ka lënë të lirë të veprojë si ka dashur ai. Madje edhe kur ishte në arrest shtëpie ( për mosparaqitje në SPAK në ditët e caktuara,) ai jepte intervista dhe ”priste” njerëz për të shpalosur idetë i tij. Dilte edhe në ballkon për të mbajtur fjalime?! Arrest shtëpiak i thënçin?!
Pse SPAK është treguar dhe vazhdon të tregohet kaq liberal për një njeri që prej shumë vitesh duhet të ishte gjykuar për veprimet e tij? Ambasadorja Juri Kim pati thënë se prokurorët kanë frikë ose janë dhe të paguar. Frikë nuk kanë pse të kenë, sepse Berisha nuk ka më pushtet. Të paguar edhe mundet. Kohët e fundit populli mësoi se për procesin gjyqësor në Londër që t’i hiqej nofka Amerikano-Angleze NON GRATA avokati londinez mori 400000 Dollarë apo Euro. Këto janë shumë pak, në krahasim me 6 milion dollarët e kontratës të firmosur nga zoti Noka për kompaninë që do punojë për t’ia hequr Washingtoni NON GRATËN. Me kaq para sa ka Berisha nuk e ka të vështirë të bëj për vete edhe prokurorët e SPAK-ut.
Mendimit të Juri Kimit do t’i shtoja edhe një arsye tjetër: E lënë të lirë Berishën sepse janë partiakë. E kanë idhullin e bindjeve të tyre politike, doemos të pashprehura nga që nuk ua lejon detyra.
Çfarë dëmi i ka sjellë Shqipërisë ”zemërgjerësia” e prokurorëve të SPAK-ut ? Është shumë i madh. Lanë të rimarrë edhe de jure PD-në një njeri që duhet të ishte gjykuar. Të merrte pafajësinë po ta meritonte ose të dënohej sipas ligjeve për veprimet që ka kryer. E lanë të lirë të drejtonte fushatën për t’u zgjedhur sërish kryeministër, kur e dinin mirë që ai nuk mund të fitonte. Dy vjet më parë PD humbi turpshëm zgjedhjet vendore me shifra të një ndeshjeje basketbolli: 63 : 7.
Duke mbajtuar në heshtje statukuonë me Berishën, SPAK bëri që në PD të mos bëheshin zgjedhje për kryetarin e ri. E vetmja shpresë e demokratëve të ndershëm për ta nxjerrë partinë nga bataku ku e çoi komunisti i vendosur Sali Berisha. Sigurisht, në rast se kryetari i ri do të ishte intelektual me vizion demokratik Perëndimor. Po të ishte ndonjë idhull i Berishës, PD do të vazhdonte tkurrjen e saj.
Duke dashur të ndihmojnë direkt idhullin e tyre, ata ”harruan” se po bëjnë lojën e Edi Ramës për të fituar katër mandate radhazi. Ata e mirëdinin se ndeshja BERISHA-RAMA kishte për të përfunduar me humbje të thellë .Ashtu si mbarë populli ata ballafaqojnë të dy këta udhëheqës. Për popullin Berisha është ai që i çoi naftë Milosheviçit kur bota shpalli embargon kundër tij. Është ai që bekoi firmat piramidale. Berisha, kur desh të niste luftën Veri-Jug, urdhëroi dy pilotë të mitralonin popullin në zonën e Gjirokastrës. Ishte ai që urdhëroi të hapeshin depot e municioneve. Berisha dha urdhër më 21 janar të qëlloheshin demonstruesit paqësorë . Ai prishi serverat dhe provat e asaj dite të zezë të historisë sonë postkomuniste .Ai është iniciatori i aferës së familjes së tij për Gërdecin ku u flijuan 26 vetë. Për pos gjithë këtyre ai është i vendosur në bindjet e tij marksiste-leniniste se në pushtet vihet vetëm nëpërmjet dhunës .Edhe këto ditë flet për rrëzimin e Ramës që fitoi zgjedhjet. Nuk ia mban zemra të thotë se ne do të përpiqemi të bëjmë në mënyrë demokratike detyrën si opozitë që në zgjedhjet e ardhshme të fitojmë zgjedhjet. Jo, jo. Fjala rrëzim që do të thotë dhunë është zgjidhja e vetme e tij dhe e dishepujve që i shkojnë pas. Si mund ta votojë populli këtë njeri dhe partinë që drejton? Ai nuk e ka për gjë të gënjejë, të shpifë, të kërcënojë, të korruptojë me para të pista dhe të anatemojë cilindo që i kundërvihet.
Edhe pse e dinte që ai nuk i fitonte dot zgjedhjet, që kishte për t’i humbur( edhe pse pruri një amerikan të njohur për të drejtuar fushatën elektorale), Berisha me kokëfortësi qëndroi në krye të PD-së vetëm e vetëm për të shpëtuar familjen e tij. Më shumë se pushteti i duhet PD-ja, kjo pronë e tij e dhuruar nga Ramis Alia. Tani, si përherë pas zgjedhjeve, akuzon për vjedhje masive. Thotë se nuk ka për t’i njohur këto zgjedhje dhe se ka për ta rrëzuar Ramën. Mirë në Shqipëri që PS-ja paska bërë namin, po në Diasporë, ku nuk janë nëpunësit e PS-së dhe njerëzit i kanë plotësuar vetë letrat e votimit në zarfat që u erdhën me postë? PS nga Diaspora 61.14 për qind, PD vetëm 23.54 për qind. Edhe për këtë e gjeti zgjidhjen. Të rinumërohen votat?! Populli thotë: FSHATI QË DUKET NUK DO KALLAUZ.
Akoma nuk me hiqen nga kujtesa karriget e përmbysura në foltore, tymi i zi nga mjetet piroteknike, flaka dhe përpjekjet për të djegur. Dhuna e deputetëve të PD-së dhe përpjekjet e tyre për bllokimin e seancave për disa muaj. Me Berishën deputet dhe kryetar partie si DHURATË NGA SPAK-u, ka shumë të ngjarë që kemi për të pasur ditë jo dhe kaq të mira për Foltoren. Fjala rrëzim që përdor ai nuk e di se çfarë ngjarjesh të padëshirueshme fsheh në brendësinë e saj. Prandaj FALEMINDERIT SPAK për zemërgjerësinë tuaj . FALEMINDERIT që lini të lirë njerëz që flasin hapur që brenda shtatë muajsh do ta rrëzojmë Edi Ramën ose maksimumi brenda një viti! FALEMINDERIT QË DUKE PËRKËDHELUR OSE MBROJTUR BERISHËN NË HESHTJE, i vini në ndihmë PS-së dhe kryetarit gati të përhershëm të saj, për të mos e lëshuar kurrë pushtetin. Rrotacioni kaq frymëmarrës për demokracinë, as nuk mund të imagjinohet që mund të bëhet deri sa PD-në e ka kapur fort prej gryke dhe nuk e lëshon një pronar si Berisha.