Këshilltari i PS-së: Protestat po ndikohen nga dezinformimi në rrjetet sociale
I ftuar në emisionin “Review” në Euronews, këshilltari i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, duke komentuar protestat e qytetarëve dhe të shoqërisë civile, tha se një pjesë e mediave online, portaleve dhe llogarive në rrjetet sociale po i ushqejnë emocionalisht protestuesit përmes dezinformimit.
Sipas tij, këto grupe synojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe projektet strategjike që sjellin investime të rëndësishme në vend.
Muharremi argumentoi se sulmet ndaj projekteve të tilla po maskohen përmes retorikës nacionaliste, ndërsa theksoi se investimet strategjike dhe zhvillimi i turizmit janë pjesë e vizionit të qeverisë për rritjen ekonomike dhe forcimin e pozitës së Shqipërisë në rajon.
“Unë këta protestues i përgëzoj, sepse në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit ka pasur dhe ka jashtëzakonisht shumë arsye për të protestuar. Pavarësisht kësaj, sot kemi një precedent që për mendimin tim është i rrezikshëm. Ky precedent lidhet me faktin se kemi klane të dezinformimit, të cilat po ushqejnë çdo element emocional të një protestuesi. Ky lloj ndikimi vjen jo nga mediat kombëtare, por nga mediat online, portalet dhe llogaritë e shumta që janë hapur gjatë kësaj kohe. Arsyeja e tyre është e thjeshtë: nuk duan që Shqipëria të jetë lidere e turizmit në Mesdhe, nuk duan që Shqipëria të përfitojë nga investimet strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë dhe GDP-në e vendit. Sot po tentohet të krijohet destabilitet dhe të pengohet ky vizion zhvillimi, si edhe investimet strategjike që i sjellin miliarda dollarë ekonomisë shqiptare, përveç gjithë investimit afatgjatë dhe ndikimit pozitiv në zinxhirin ekonomik. Po preket çështja kombëtare dhe nacionaliste, duke u thënë qytetarëve se Shqipëria po shitet, po uzurpohet apo se gjithçka është klienteliste. Ndërkohë dihet shumë mirë se më 11 maj është rikonfirmuar mandati i katërt i qeverisë Rama me 83 mandate dhe me rreth 850 mijë qytetarë që kanë përqafuar vizionin e Edi Ramës. Që nga viti 2013, vizioni i Edi Ramës ka qenë që Shqipëria të mos mbetet në shifrat e një milion turistëve në vit. Sot flasim për 12 milionë turistë në vit dhe kjo përkthehet në rritje ekonomike për vendin. Sot nuk po shitet prona publike. Nëse do të kuptoja një arsye për të protestuar dhe do të isha edhe unë pjesë e një proteste të tillë, do të ishte nëse prona publike do të shitej. Shembulli më i qartë është investimi strategjik në Sazan. Sazani ishte pronë publike, pronë e shtetit shqiptar, dhe qeveria shqiptare nuk vendosi ta shiste për një çmim të papërfillshëm këtë ishull fantastik. Përkundrazi, shteti është bashkaksioner në këtë investim strategjik, i cili do të sjellë përfitime për ekonominë shqiptare. Kam dëgjuar edhe thirrjet e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Nëse ata mendojnë se Edi Rama duhet të tërhiqet dhe se nuk ka qenë lideri i duhur për të udhëhequr vendin, atëherë më 11 maj patën mundësinë ta shprehnin këtë përmes votës. Nëse në protestë më thuhet se për 13 vite janë larguar shqiptarët, se për 13 vite është shkatërruar shteti dhe nuk janë përfaqësuar interesat e qytetarëve, atëherë duhet të kemi parasysh se më 11 maj janë marrë 850 mijë vota mbështetëse. Kjo do të thotë se janë 850 mijë qytetarë që kanë dhënë mandatin për të qeverisur vendin edhe për katër vite të tjera.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.