Bitraj: U dekonspirova kur hapa kutitë e parave që do të asgjësoheshin
Vjedhja e Thesarit
Pyetet sërish organizatori dhe bashkëpunëtorja: Bruzi: Ardiani më tha se paratë do t’i kthente sërish
Nga Sokol Çobo
Organizatori i supervjedhjes në Thesarin e Shtetit, Ardian Bitraj, ka treguar të tjera detaje për hetuesit mbi mënyrën sesi i ka shpenzuar 713 milionë lekët e përvetësuara. Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës i ka bërë një tjetër vizitë në qeli ekonomistit, duke e pyetur gjerë e gjatë mbi të gjithë skemën e kësaj vjedhjeje, por edhe për bashkëpunëtorët e tij të mundshëm. Me një rrëfim të ftohtë, ai ka shpjeguar se “bashkëpunëtorja” e vetme e tij ishte Mimoza Bruzi, një kolege prej vitesh e tij në Thesar, e cila kishte mësuar se ai merrte para nga kasaforta. Ndërkohë, vetë Bruzi ka pranuar për herë të parë se ka qenë në dijeni se Ardiani kishte marrë para nga kasaforta, por ai i kishte thënë se këto të holla do t’i kthente.
Organizatori
Bashkëpunëtorja
Në të njëjtën ditë me rimarrjen në pyetje të Ardian Bitrajt, prokurori ka pyetur edhe “bashkëpunëtoren” e tij, Mimoza Bruzi. E arrestuara ka pranuar për herë të parë se ka qenë në dijeni të kësaj vjedhjeje, por nuk e ka denoncuar për arsye se Ardiani i ka thënë se paratë do t’i rikthente te kasaforta. “Kam qenë në dijeni të vjedhjes së parave prej disa muajsh. I kam thënë Ardianit që t’i kthente sërish paratë, por ai nuk i ka kthyer. Vazhdimisht më thoshte se do t’i kthente. Nuk e kam denoncuar vetëm se më premtonte se do të kompensonte gjithçka”, ka shpjeguar Bruzi para prokurorit, ndërsa ajo ka shtuar se nuk ka përfituar asnjë të hollë nga kjo vjedhje.
Hetimet pasurore
Ndërkohë, prokuroria vijon të marrë informacione sesi u shpenzua një shumë prej 713 milionë lekësh. Vetë Bitraj ka pohuar se këto para i ka lënë në kumar, ndërsa akuza ka dyshime se ndoshta mund t’i ketë transferuar jashtë vendit. Për të saktësuar çdo dyshim, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, ka takuar drejtoreshën e përgjithshme të mbikëqyrjes së lojërave të fatit, Luneda Sufali, dhe drejtorin operativ të të njëjtit institucion, Enis Tushi. Mësohet se Sufali dhe Tushi janë pyetur për mënyrën se si janë mbajtur regjistrat për subjektet ku i dyshuari Bitraj ka rrëfyer se ka shpenzuar paratë e grabitura të Bankës së Shqipërisë dhe nëse janë kontrolluar apo verifikuar të ardhurat dhe fitimi i këtyre subjekteve në rrugën “Fortuzi” në Tiranë. Ndërkohë, paralelisht me këto hetime, grupi hetimor po pret një përgjigje nga ekspertët për verifikimet në lokalet e lojërave të fatit në zonën ku banonte Bitraj. Madje, në pyetje janë marrë edhe pronarët e këtyre pikave të basteve sportive, të cilët kanë shpjeguar se i arrestuari ka qenë një lojtar i rregullt i ndeshjeve të futbollit.
Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se në prokurori ishte po ashtu edhe drejtori i përgjithshëm i parandalimit e pastrimit të parave, Genti Gazheli, jo vetëm për të dhënë informacione për dyshimet se subjektet që janë nën hetim mund të kenë pastruar para, por edhe për shkak se kjo drejtori ka nënshkruar në qershor të këtij viti një marrëveshje me Bankën e Shqipërisë për parandalimin e pastrimit të parave. Mësohet se takimet kanë shërbyer për të ndihmuar hetimin e nisur nga prokuroria dhe rakordimin mes tri institucioneve, për të zbuluar se ku kanë përfunduar miliardat e vjedhura nga Banka e Shqipërisë.
Burimet nga prokuroria thanë se, edhe pse banka ka përfunduar inventarizimin e kasafortës së Thesarit, ku u konstatuan se mungonin 713 milionë, ky raport nuk ka mbërritur ende në duart e hetuesve. Pritet që ky raport të jetë një provë në duart e akuzës, pasi aty do të ndahet edhe përgjegjësia për atë që ndodhi për 4 vjet në Bankën e Shqipërisë.
[poll id=”3″]




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.