Biznesmeni konfirmon premion 1 milion euro
Besnik Benz: 200% e vërtetë, e meritojnë këtë shpërblim nëse fitojnë
Biznesmeni kosovar me banim në Zvicër, Besnik Benz, ka konfirmuar se shpërblimi prej 1 milion eurosh i vendosur për fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë, nuk ka qenë thjesht një thashethem në rrjetet sociale. Në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ai ka shuar të gjitha dyshimet që kishin lindur rreth shpërblimit që kishte vënë.
“Premtimi është 200% i vërtetë. E kam bërë këtë premtim, pasi ekipi kombëtar i Shqipërisë e meriton. Ata janë djem të mirë dhe e meritojnë këtë shpërblim”, tha Benz, i cili, në këtë rast, nuk sheh aspak anën materiale të situatës, pasi ëndërron një fitore të kuqezinjve në Beograd. “Unë kam qejf që Shqipëria të kthehet me fitore. Këtë premtim për shpërblim e kam thënë me zemër, jo vetëm me gojë”, tha ai.
Fillimisht, iniciativa e tij lindi nga pamundësia për të shkuar të ndiqte futbollistët kuqezinj në Beograd, por ai beson se tashmë mund të jetë përkrah tyre, meqenëse të gjithë lojtarët e kanë marrë mesazhin e tij. “Unë di që ekipi është në dijeni të këtij shpërblimi që kam vendosur. Personalisht nuk kam pasur bisedë me trajnerin e kombëtares, por di që djemtë e kanë marrë mesazhin dhe ka pasur reagime shumë të mira, janë shumë të kënaqur. Them se ky shpërblim do t’u japë më shumë energji që të fitojnë në këtë sfidë”, tha Benz, i cili më pas premtoi se ishte gati ta dorëzonte shumën e premtuar për përfaqësuesit e kombëtares kuqezi në studion e emisionit televiziv nëse Shqipëria kthehej me fitore nga Beogradi.
Lajmi se një biznesmen kosovar ka vënë një shpërblim prej 1 milion eurosh për fitoren e kombëtares shqiptare, është komentuar gjerësisht edhe në mediat serbe. Shumë prej tifozëve të përfaqësueses serbe u kanë bërë thirrje biznesmenëve vendas që të bëjnë të njëjtën gjë për kombëtaren e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.