Kronika

Biznesmenia denoncoi te Rama, arrestohen 3 specialistët e Tatimeve

Tre punonjës të drejtorisë së hetimit tatimor të drejtorisë rajonale të Tiranës janë arrestuar në flagrancë për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Arrestimi ka ardhur pas denoncimit të bërë nga vetë subjekti privat drejt për drejtë tek kryeministri Edi Rama.

Vetë drejtori i policisë së Tiranës Ard Veliu, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se specialistët kanë marrë një shumë prej 40 mijë lekësh të reja nga një subjekt privat në Spille të Kavajës, duke shpërdorur detyrën.

Në sajë të operacionit “TND” kanë rënë në pranga Arben Disha, 49 vjeç dhe Ervin Kureta, 29 vejç me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në drejtorinë rajonale të Tiranës, si dhe Ermal Harizaj, specialist në drejtorinë e hetimit tatimor në Tiranë.

“Arrestimi i këtyre personave u bë, pasi, më datë 21.07.2017, ora 17.00, të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll, pranë një subjekti privat  në Spille Kavajë, me administratore shtetasen  A. M., duke shpërdoruar detyrën  i kanë marrë administratores shumën prej 40 mijë lekë të rinj. Vijon puna për dokumentimin nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën  ndaj bizneseve”, bëri të ditur Veliu.

Kreu i policisë së Tiranës dha detaje dhe për plagosjen pranë shkollës “Partizani”, dy ditë më parë, ku bëri të ditur se bëhet fjalë për motive hakmarrje dhe vrasja ka qënë e porositur.

“Si rezultat i operacionit u arrestuan  të gjithë antarët e  grupit,  duke filluar nga porositësi,  ekzekutori dhe  përkrahësit pas kryerjes së krimit , më konkretisht: Ervin Zallumi, 30 vjeç. Ky shtetas është personi që ka porositur vrasjen e shtetasit Mishel Prela, kundrejt shumës prej 80.000 eurosh, shumë të cilën  do t’ia jepte shtetasit Shkëlzen Buci dhe bashkëpuntorve të tij.  Shkëlzen Buci, 34 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë,  i cila  ka qenë në rolin e ekzekutorit , të cilit i është gjendur dhe sekuestruar  arma e krimit tip pistoletë model 54(TT). Miklar Tola , 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili  është  bashkëpuntor në tentativën e vrasjes.  Trim Hidri, 41 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili  ka bërë të mundur largimin nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit , të autorëve të krimit.  Ermir Tola, 22 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, vëllai I Miklar Tolës, pjestar aktiv i këtij  grupi kriminal. Motive i kësaj ngjarje është hakmarrja”, bëri të ditur Veliu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button