Politika

Blushi: Rama s’ka kapacitet t’më gjykojë punën! U bë kryetar i PS për shkakun tim

Një javë më parë kryeministri Edi Rama tha se ish-deputeti socialist Ben Blushi nuk ka bërë asnjë punë përveçse ka botuar tre libra, dhe aq më pak kur ishte ministër në kohën kur PS-në e drejtonte Fatos Nano.

Por për deputetin Blushi, kreu i qeverisë nuk e ka kapacitetin për të gjykuar punën e tij. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News 24, Blushi, i cili tashmë ka nisur partinë e tij, tha se Rama është në politikë dhe kryetar i PS-së edhe për shkak të ish-deputetit të tij. Blushi e quajti të vjetër në politikë Edi Ramën, dhe tha se është duke i lodhur të gjithë.

“Edi Rama nuk ka kapacitetin për të vlerësuar punët me të cilat unë jam marrë, por sigurisht një nga punët që unë kam bërë është fakti që është aty ku është . Kjo është e vërtetë. Një nga punët që unë kam bërë në jetë i ka prirë si të thuash Edi Ramës, sepse edhe për shkakun tim është aty ku është edhe në politikë edhe si kryetari i PS. Nuk ka kapacitet për të vlerësuar këtë gjë dhe unë nuk dua t’i hy këtij debati. Nuk kam asnjë interes të bëj debat me anëtarët e Rilindjes, por diçka sigurisht mund ta them. Dikur kur e pashë thashë me vetë çfarë sovjetiku është ky, që mendon edhe se librat e një shkrimtari janë produkt i partisë. Se këtë mendon. Vetëm në kohën e Partisë së Punës ata që drejtonin këto idiotësira thoshin shkrimtarët janë produkt i partisë. Kështu foli edhe Edi Rama, sigurisht është një njeri shumë i vjetër. Unë kam dalë për ta mundur atë dhe të gjithë ata që janë si ai. Është tmerrësisht i vjetër ka 18 vite në politikë dhe kam përshtypjen është duke na lodhur të gjithëve. Nuk kam shumë kohë të merrem me Edi Ramën se është humbje kohe”, – tha Blushi.

Ai theksoi edhe njëherë arsyen pse vendosi që të braktisë Partinë Socialiste.

“Dua të kujtoj që nën poshtërimin e Rilindjes dhe me një kërkesë meskine dhe frikacake të Edi Ramës u mor vendim personal për mua meskin për të më hequr të drejtën e garës. Kjo ndodhi 6 muaj më parë. Partia më e madhe në Shqipëri u mblodh për të vendosur se Ben Blushi nuk ka të drejtë të garojë për kryetarin e Partisë Socialiste. Po kjo është një nga arsyet më themelore që vendosa të iki, çka nuk ka ndodhur kurrë, që një parti të marrë vendim që dikush nuk ka të drejtë gare”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button