Blushi:Ambasadorët po detyrojnë klasën politike të bëjë reformën në drejtësi
Deputeti Ben Blushi, i njohur për frymën e tij kritike brenda maxhorances, i është drejtuar me një fjalë të ashpër seancës së sotme të Kuvendit, pas apelit të djeshëm të ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi.
Duke mbështetur mesazhet e percjella nga ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, deputeti socialist tha se ky Kuvend e ka humburn legjitimitetin dhe sovranitetin dhe ndërkombëtarët po sigurojnë mbështetje në këmbim të një çmimi që është tallja me deputetët.
Blushi tha se ambasadorët po e detyrojnë klasën politike të bëjë reformën në drejtësi. Kjo provon se parlamenti ynë nuk ka as fuqi, as dinjitet dhe as mundësi të bëjë atë që duhet dhe pritet prej tij, theksoi ai.
Ne sot po tallemi nga ndërkombëtarët, vijoi Blushi, dhe ky parlament e ka konsumuar orën e vet të fundit, atij i ka ardhur ora të ikë në shtëpi.
Grupi i PDsë kërkon pushim në nisje të seancës
Seanca plenare e Kuvendit është ndërprerë në nisje të saj pas kërkesës së grupit parlamentar te Partisë Demokratike qe kërkoi pesë minuta pushim.
Në hapje të seancës nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, prezantoi rendin e ditës, ku mes të tjerash për pikën 6 të saj, raportin vjetor për veprimtarinë e Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, maxhoranca u shpreh kundër diskutimit te sa me debat. Për këtë pikë kishin regjistruar emrin 5 diskutantë të opozitës.
Kreui i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi tha se për rastet kur raportet vjetore kërkohet të zhvillohen me debat rregullorja e parashikon se i duhet bërë një kërkesë me shkrim Konferencës së Kryetarëve. Por, një kërkesë e tillë, tha ai, nuk është bërë nga opozita dhe as është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve, ndaj dhe regjistrimi i diskutantëve në seancën e sotme është bërë në kundërshtim me rregulloren, tha Ruçi.
Në reagimin e saj ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pranoi argumentin e Ruçit, por shtoi se ka dhe raste të veçanta kur duhet të ketë mirëkuptim mes palëve.
“Ka rregullore, por ka dhe mirëkuptim. Ndoshta ka qënë një lapsus mosdorëzimi i shkresës në Konferencën e Kryetarëve, por në praktikën parlamentare, kur është parë e arësyeshme, raportet vjetore janë bërë me debat. Ndaj unë do të kërkoja mirëkuptimin e të gjitha palëve për këtë”, iu drejtua Topalli Ruçit.
Ky i fundit i kujtoi ish-kryeparlamentares se ajo ka qënë e njohur për zbatimin ‘me fanatizëm’ të rregullores kur ka ishte në pushtet.
“Për të gjitha raportimet bëhet një kalendar i posaçëm dhe po ashtu bëhen kërkesa të posaçme kur kerkohet debat. Kështu që nuk është fjala për mirëkuptim, por për të zbatuar rregulloren”, sqaroi Ruçi.
Më pas drejtuesja e seancës, Leskaj, tha se përderisa nuk ka mirëkuptim rregullorja është e qartë.