“Bomba Doshi” dhe bomba te diga e Liqenit
Bomba Doshi” e kanë quajtur ngjarjen që na mbajti e po na mban vëmendjen pezull këto dhjetë ditë. Figura e bombës që shpërthen, nënkupton në këtë rast një gjë që trondit, skandalizon, ngaqë dalin në pah shumë të palara. Por kjo “bombë”, sipas mendimit tim, thellë-thellë tërheq vëmendjen jo aq për shkak të intrigës policore apo kriminale që mban brenda, sesa për shkak të nevojës për ndryshim që kanë njerëzit. Ajo ka tërhequr vëmendjen e njerëzve pikërisht mbi shpresën se, pas kësaj, diçka do të ndodhë, duhet të ndodhë, sepse s’mban më ujë pilafi, sepse ka një tejngopje me të keqen.
Si ndarës i kësaj shprese më tërhoqën vëmendjen në fjalimin e Bashës në protestën e opozitës dy fraza që pasuan njëra- tjetrën: “Ne do ta shkulim të keqen! Ne do ta shporrim Edi Ramën dhe Ilir Metën!”.
Pse më tërhoqën vëmendjen? Sepse, sapo dëgjoj këtë lloj formulimi, ku e keqja identifikohet me ndonjë emër të përveçëm dhe gjithçka rrotullohet aty, tek emri i përveçëm “Berisha”, “Nano”, “Meta”, “Rama”, “Basha” etj., zhgënjehem, më vjen të nënqesh dhe të përjetoj pikërisht sabotimin e shpresës. Sepse kemi njëzet vjet që në këtë teatrin gjithnjë e më banal të politikës sonë, aktorët tanë, në luftën e tyre për manipulim të njerëzve, i japin të keqes emra të përveçëm kundërshtarësh ndërkohë që ajo, e keqja, si sistem, marshon duke u bërë gjithnjë e më agresive. Përvoja na ka treguar se aktorët e këtij teatri si emra të përveçëm i kanë shërbyer asaj (të keqes) thjesht për ta kamufluar që të lëshojë rrënjët edhe më thellë, ku të mundë, deri sa na ka hyrë në Parlament në formën e krimit. Prandaj unë them se nuk ka më shqiptar që të emocionohet e të ndiejë shpresë duke dëgjuar fraza të tilla, si: “Ne do ta shporrim Edi Ramën dhe Ilir Metën!”. Madje, edhe shfaqja e fundit në formë drame dhe komedie e “bombës Doshi” sikur po shërben për të harruar marshimin e të keqes si sistem.
* * *
Për të sqaruar më mirë se ç’dua të them, po jap disa pasazhe të një kronike, që u eklipsua krejtësisht gjatë këtyre ditëve. E kam fjalën për protestat e një grupi të rinjsh kundër bombës së ndërtimeve te diga e Liqenit Artificial të Tiranës, që do të shkatërrojë hapësirat publike dhe të gjelbra pranë Liqenit. Ata e quajnë njëri-tjetrin me shaka “betonsa” ose “antibetonsa”, por në publik janë të gjithë të rinj me emrin: “qytetarët për Parkun”. I kanë dorëzuar Kryeministrit, Presidentit, por edhe Metës një rezolutë ku shtjellojnë se përse nuk duhet ndërtuar sot në të gjitha hapësirat publike të mbetura e veçanërisht pranë Liqenit. Kanë protestuar te diga, ku po bëhen ndërtimet (duke na paralajmëruar se, përveç të keqes që po bëhet atje, ky projekt i hap rrugë tharjes së liqenit). Kanë deklaruar se nuk do të votojnë askënd që nuk e merr përsipër rikualifikimin e të gjithë zonës rreth Liqenit me thirrjen: “Qytetarët për parkun, zero park, zero vota.” Protestën e fundit e kishin te Gjykata Administrative e Shkallës së Parë për t’i treguar asaj edhe një herë se është në kohë që të rishohë vendimin e ndërtimeve.
E kanë me Bashkinë e Bashës që ka dhëne lejen dhe me Kryeministrin Rama që bën sikur çon INUK-un, por ndërkohë atje po zbatohet projekti i tij i vitit 2003: Tirana Rocks. Kanë protestuar edhe para Kryeministrisë për t’i kërkuar Ramës të shprehet publikisht për këtë, por asgjë deri me sot.
Ç’lidhje ka kjo me rastin Doshi, do të thotë lexuesi. Po si nuk paska? Ka lidhjen me të keqen, me rrënjët e së keqes që marshon, me sistemin që marshon, i të cilit “bomba Doshi” është thjesht vetëm një fryt pak më i hidhur, por jo i vetmi. Sepse “bomba Doshi” e pastruar nga tërë intrigat e vrasjes apo inskenimit të vrasjes së tij është një nga të shumtat ngjarje që, po ta ndjekësh, siç nuk po ndiqet, të çon te rrënjët e së keqes që ka prodhuar edhe bombën te diga: te sistemi i përdorimit të politikës sonë nga njerëz që pa dallim feje, krahine dhe ideje punojnë në mënyrë më së shumti kriminale ndaj të mirës publike. Nganjëherë punët kriminale shkojnë deri në vrasje apo kërcënim për vrasje, por edhe kur nuk shkojnë deri aty, në më të shumtën krime janë. Dhe ka një logjikë në punët e krimit që sintetizohet në atë thënien: “krimi ndjell krimin”. Sikurse është thënë në shtyp më se një herë, Doshi, në bashkëpunim me Metën, ka privatizuar Profarmën, Ajkën, ka zhvilluar bizneset e tij në Veri, pastaj, gjithë në funksion të interesave të tij, ka qenë në një Grup Parlamentar në mbështetje të Berishës, ku ministër i Shëndetësisë ishte kryetari i këtij Grupi, Nard Noka, pastaj u bë me Ramën për të përmbysur Berishën dhe u bë deputet. Të gjitha këto lëvizje politike dhe përfitimet që kanë rrjedhur pas tyre kanë bërë që të qarkullojnë lloj-lloj versionesh mbi atë se pse do ta vriste Meta deputetin e PS. Midis tyre edhe versioni se nuk kanë rënë dakord për ndarjen e shifrës që i takonte Metës për favoret që i ka bërë Doshit. Por për mua pak rëndësi ka a janë apo jo të vërteta këto. Për mua, ka rëndësi se nuk ka shqiptar që nuk e di se ashtu si Doshi funksionojnë edhe pasunarë të tjerë që sponsorizojnë të dy partitë dhe vazhdojnë të pasurohen në kurriz të përkeqësimit të jetës së shumicës së shqiptarëve. Edhe rasti i bombës te diga, në thelb, për mua, është e njëjta histori. Projektin e bëri Rama lejen e dha Basha – tani të dyja palët në teatrin në skenë bëjnë sikur duan të pastrojnë të keqen duke përdorur ndonjë emër të përveçëm, gjithë duke qenë të lidhur në prapaskenë me fijet e këtyre interesave.
Në një shkrim të tij të fundit, Andi Bushati, duke analizuar “bombën Doshi”, shkruan se ajo çka po del nga tërheqja e fillit të ngjarjeve të fundit, tregon se “kemi një polici krejtësisht të politizuar dhe të tredhur nga krimi”. Mjaft të kihet parasysh – thotë ai – fakti se në vend se që prej gjashtë muajve të kishte filluar ndjekja dhe përgjimi i njerëzve që implikoheshin në aferën Doshi, gjithçka u mbulua, derisa plasi bomba, apo faktin e deputetit Frroku që strehon në makinë kriminelë dhe policia as që s’guxon t’ia ndalojë makinën. Mbi këto fakte ai ngre pyetjen: “kemi një qeverisje të lidhur me krimin apo thjesht të pazonjën për ta luftuar atë?”. Përgjigjja që do të jepja unë, duke e konsideruar futjen e krimit në Parlament si frytin më të hidhur të pemës së të keqes – sistemi i përdorimit të politikës për interesa njerëzish që punojnë në mënyrë kriminale ndaj të mirës publike, – është se në kushtet ku jemi, nuk ka kuptim të bësh një ndarje midis “qeverisë” dhe “krimit”, apo “qeverisë” dhe “pafuqisë” së saj ndaj krimit, pasi krimi dhe politika te ne janë dy faqe të së njëjtës medalje. Prandaj dhe të rinjtë që protestojnë ndaj bombës betonizuese te diga e Liqenit nuk do të marrin dot përgjigje, ashtu sikurse nuk morëm dot një përgjigje mbi vrasjen e Santos dhe, me sa duket, ashtu sikurse nuk do të marrim dot një përgjigje edhe mbi pyetjet e shumta që ngre “bomba Doshi”.