Kronika

Bonusi për Klodian Zoton/ Kujt ia la Rama përgjegjësinë e firmës mbi VKM

Arrogancën me të cilën u jep përgjigje rëndom gazetarëve, kryeministri e zëvëndësoi me kujdesin për t’i zgjedhur fjalët, sapo i kërkuan shpjegime për një nga firmat e tij në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Bëhet fjalë për vendimin me nr.855 të Këshillit të Ministrave, të datës 7 dhjetor 2016, kur qeveria i dha bonus Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, dy të akuzuarve për një nga vjedhjet më të mëdha të tranzicionit shqiptar; atë me inceneratorët.

Problemi është se kur Rama hodhi firmën për t’i dhënë bonus kompanisë që do merrte koncensionin e inceneratorit të Tiranës, kompania nuk ekzistonte ende. I zënë me punët që duhej t’i bënte për zyrtarët shtetërorë, Klodian Zoto as nuk e kishte marrë mundimin ta regjistronte në QKB.

Pjesë nga dosja e SPAK për Arben Ahmetajn
Pjesë nga dosja e SPAK për Arben Ahmetajn
Se si ndodhi që një kompani e paregjistruar në QKB të vinte në lëvizje shtetin, madje të vlerësohej me bonus nga qeveria për koncensionin dhjetëra miliona euro e shpjegon SPAK. Por meqënëse nuk guxojnë të hetojnë Ramën, në burg po mbajnë vartësit e tij, mes të cilëve ish-ministri Koka apo ish-sekretari, Alqi Bllako.

Prandaj, kur shpjegon versionin e tij të ngjarjeve, Ramës i duhet t’i mendojë mirë fjalët.

Në konferencë nuk kishte planifikuar ta prekë këtë temë. “Nuk është pyetje për mua kjo” i tha gazetares Ambrozia Meta. Por kur kjo i kujtoi përgjegjësinë për firmën, Rama nisi të shpjegohet.

Sipas tij, firma e kryeministrit nuk duhet konceptuar si një akt individual, pasi ajo është frut i një mekanizmi dhe procedurash që përfshijnë ekspertë dhe zyrtarë nga institucione të ndryshme.

“Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë. Dhe çdo firmë e imja është frut i një procesi dhe i një mekanizmi. Dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo nga sfera të ndryshme ra që kanë kompetencat e tyre dhe ky bashkim kompetencash sjell një rezultat. Dhe kur ky rezultat merr firmën time, kthehet në një vendim Kështu bëhen të gjitha vendimet. Ju më bëni pyetje që nuk janë në sferën e kompetencës time dhe ju përsëris nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulime të natyrësmediatike, politike të natyrës jo aritmetike, është e drejta e të gjithëve të marrin vendime” tha Rama.

Çfarë nënkupton Rama kur flet për “mekanizëm”

Është e vërtetë se kreu i qeverisë nuk mund të verifikojë personalisht në detaje ligjshmërinë e akteve dhe propozimeve që i vijnë në tryezë gjatë mbledhjeve të qeverive. Për kontrollin e dokumentave kujdeset Departamenti për Legjislacionin dhe Sekretari i tij i Përgjithshëm.

Sipas ligjit për organizimin e Këshillit të Ministrave, në nenin 9 të tij, përcaktohen kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm, aktualisht Ëngjëll Agaçi. Një nga detyrat e tij është edhe parashtrimi që i bën ai Kryeministrit mbi përputhshmërinë e projektakteve të propozuara me legjislacionin në fuqi. Pra ligji e detyron Agaçin t’ia parashtrojë Ramës, dokumentat që do të firmosë dhe përputhshmërinë e tyre me ligjin.

Rama nuk e thotë nëse Agaçi e bëri këtë, pra nëse e njoftoi para se ai të hidhte firmën për t’i dhënë bonus kompanisë inekzistente të Klodian Zotos.

Por sipas Berishës, faji nuk është vetëm i Agaçit. Me eksperiencën prej 8 vitesh si kryeministër, Berisha ka denoncuar edhe përgjegjësitë e drejtorit të Departamentit për Legjislacionin e Akteve të Këshillit të Ministrave. Në atë kohë, këtë post e mbante Artur Metani.

“Ai (Metani) mban përgjegjësi personale direkte për miratimin, ose mos denoncimin e dhënies në kundërshtim me ligjin të bonusit prej 8 pikësh një kompanie që nuk ekzistonte për ndërtimin e djegësit të Tiranës” ka denoncuar Berisha.

Detyrimet që u ngarkon ligji dyshes Metani-Agaçi duket se përbëjnë mekanizmin, për të cilin flet Rama kur heq nga vetja përgjegjësitë për firmën që ka hedhur për inceneratorin e Tiranës. Në këtë rast, shkarkimi i përgjegjësisë ndodh sa për t’i bërë bisht përgjegjësive.

Afera e inceneratorëve është e përmasave të tilla që kërkon angazhimin e të gjithë qeverisë. Pa miratimin e Ramës, as Ahmetaj dhe as Koka nuk do të kishin kryer dot shkeljet për të cilat akuzohen. Firma e Ramës për t’i dhënë bonus Klodian Zotos e konfirmon këtë edhe një herë tjetër.

Prandaj për të mohuar rolin e tij si kryeministër, Rama u detyrua të gënjejë hapur në konferencë, kur tha: “Firma ime vendoset kur mekanizmi ka përfunduar punën dhe cështja x, y, z shtrohet në mbledhjen e qeverisë ku janë prezent të gjithë ministrat. Dhe pasi shtrohet në mbledhjen e qeverisë, merr miratimin e të gjithë ministrave dhe në qeverinë time nuk merren miratime, nëse çdo gjë nuk sheshohet më përpara. Dhe nuk ndodh në qeverinë time qysh prej 10 vitesh që unë të imponoj futjen e cfarëdo vendimi që vjen i pasheshuar nga mekanizmat e diskutimit dhe të negociimit dhe të ballafaqimit dhe të ridiskutimit mes të gjitha palëve që do të thotë që firma është thjesht dhe vetëm zbardhja e një vendimi që merret si rezultat i gjithë këtij procesi”.

Sipas asaj që thotë kryeministri, është diskutuar në qeveri për të gjetur dakortësi me të gjithë ministrat për vendimin që po merrej. Por dokumentat nuk përputhen me pohimet e Ramës.

Sepse për bonusin për kompaninë e Klodian Zotos, dy ministra ishin shprehur kundër.

Në përgjigjen që ministri i Drejtësisë së asaj kohe, Ylli Manjani i ktheu ministrit të mjedisit, Lefter Kokës pikërisht për bonusin në fjalë, ai kundërshton dhënien e bonusit. Duke cituar ligjin për ofertat e pakërkuara, Manjani shkruan se “në asnjë pikë të tij nuk përmendet apo autorizohet shprehimisht Këshilli i Ministrave për miratimin e dhënies së bonusit”.

Kundër ishte edhe Ermonela Felaj, e cila në atë kohë ishte Ministre e Shtetit. Në përgjigjen që i ktheu Kokës, Felaj evidenton faktin se kompania që do merrte bonusin nuk ekzistonte në QKB. Disa muaj më parë, gjatë një seance parlamentare, Felaj i qëndroi firmave të saj kundër inceneratorit, kur iu përgjigj në replikë Sali Berishës.

“Në atë çështje ka vetëm 2 firma të miat dhe të dyja janë kundër” u shpreh Felaj duke u mbrojtur nga opozita, por në të njëjtën kohë duke nxjerrë bllof shefin e saj, që pavarësisht paralajmërimit që i bënë vartësit, firmosi në shkelje të hapur të ligjit./Lapsi.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button