Bora zbardh Veriun e Shqipërisë, MPB: Përdorni zinxhirët
Viti i ri mbërriti me reshje të dendura bore për banorët e rajonit verilindor dhe me temperatura të ulëta. Reshjet e dëborës janë shfaqur fillimisht në Tropojë, ku trashësia e dëborës ka arritur në 20 centimetra, ndërsa nga mesdita, reshjet e dendura të dëborës janë bërë prezente në të gjithë rajonin verilindor. Burime zyrtare të policisë rrugore bëjnë të ditur se, si pasojë e ngricave dhe reshjeve të dëborës, kanë nisur të shfaqen edhe vështirësitë e para në lëvizjen e mjeteve në akset kryesore rrugore. Kështu në aksin rrugor tuneli i Kalimashit-Kukës-Morinë, trashësia e dëborës ka arritur në mbi 15 centimetra. Për mbajtjen nën kontroll të situatës po punojnë 4 borëpastruese. Ndërsa në akset rrugore Krumë-Qafë Prush, Bajram Curri-Lekbibaj, Bajram Curri; Qafë Morinë dhe Bajram Curri; Valbonë, ku trashësia e dëborës ka arritur në rreth 20 centimetra, nga policia u është kërkuar drejtuesve të mjeteve të lëvizin me shpejtësi të kufizuar dhe me zinxhirë. Për mbajtjen nën kontroll të gjendjes nga firmat kontraktuese që tashmë janë të gjitha në punë në akset rrugore që kanë marrë përsipër, po hidhet kripë e skorje me synim mbajtjen e tyre hapur, pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës që po vazhdojnë. Në disa rajone të vendit ka pasur reshje dëbore, të cilat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugë. Probleme të tilla janë shfaqur në qarqet e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, kryesisht në akset Korçë-Dardhë; Bilisht-Kapshticë; Krumë-Qafë Prush (Kosovë); Kukës-Shishtavec si dhe Qafë Thore-Theth në Shkodër. Strukturat e Policisë së Shtetit, të Emergjencave Civile bashkë me ato të pushtetit lokal, po punojnë për lehtësimin e gjendjes, duke angazhuar forca dhe mjete për pastrimin e rrugëve, por edhe duke paralajmëruar automjetet për vendosjen e zinxhirëve. MPB, nëpërmjet Emergjencave Civile ka shpërndarë mjetet e saj borëpastruese dhe fadroma në disa rrethe si: Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Kukës dhe Dibër. Të gjitha zonat në vështirësi po inspektohen nga strukturat e Emergjencave Civile dhe nga Policia e Shtetit. Në gatishmëri janë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat janë aktivizuar për zgjidhjen e situatave. Policia po monitoron gjendjen dhe këshillon qytetarët të kenë kujdes në raste situatash emergjente për shkak të motit. Në bazë të të dhënave dhe informacioneve të grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, në vijim ju paraqesim një përmbledhje të problematikave në zonat e prekura, sipas qarqeve: Qarku Kukës Në të gjithë qarkun ka pasur reshje bore, e cila ka arritur deri në 10 cm në qytetin e Kukësit dhe 15 cm në qytetin e Bajram Currit. Dëbora e rënë ka shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Krumë – Qaf Prush që të nxjerr në Kosovë. Prefekti i qarkut Kukës ka komunikuar me një firmë kontraktore për të bërë të mundur zhbllokimin e këtij aksi rrugor, duke futur në punë 2 borëpastruese. Edhe aksi rrugor Kukës-Shishtavec ka bllokime në pjesë të caktuara si rezultat i reshjeve të dëborës. Ndërkaq furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm ka qenë pa probleme. Qarku Shkodër Në Malësi të Madhe ka pasur reshje dëbore në zonën e Vermoshit dhe zonën e Thethit. Aksi rrugor Qaf Thore – Theth është i bllokuar. Nga ana tjetër vijon puna për të mbajtur të hapura të gjitha akset rrugore nacionale, të cilat janë rënduar si rezultat i rënies së borës. Qarku Korçë Ditën e sotme ka pasur reshje bore në fshatrat Dardhë e Kapshticë. Në doganën e Kapshticës ka pasur një bllokim të aksit rrugor Bilisht – dogana Kapshticë, por janë marrë masat menjëherë me 2 borëpastruese për pastrimin e këtij aksi rrugor. Disa probleme në qarkullim janë shfaqur edhe në aksin rrugor Korçë- Dardhë ku në pjesë të caktuara ka pasur bllokime. Policia e Shtetit ju bën thirrje drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në këto akse të përdorin zinxhirët në automjetet e tyre. Në qarqet e tjera të vendit ka pasur reshje shiu me densitet të ulët dhe nuk ka pasur problematika për shkak të kushteve të motit. Ditën e nesërme pritet të ketë një rritje të nivelit të ujërave në lumenjtë: Shkumbin, Ishëm, Erzen, Mat, Drin dhe Bunë. MPB ka njoftuar të gjitha prefekturat ku pritet të ketë probleme të shkaktuara nga kushtet të motit, që të marrin të gjitha masat për përballimin e situatave të mundshme që mund të krijohen – See more at: http://www.shekulli.com.al/m/post.php?id=369719#sthash.TTxVglxh.dpuf