Bosnje-Hercegovinë: Portë e depërtimit të IS-it në Evropë
Që prej luftës në Bosnjë ka fshatra tërësisht islamikë, ku fundamentalistët sfidojnë bashkësinë zyrtare islame.
Është kohë agjërimi për festën e Ramazanit. Imami Sadrudin Isherici drejton namazin e iqindisë në xhaminë qendrore në kryeqytetin boshnjak Sarajevë. Ramazani – është për Ishericin dhe besimtarët kohë reflektimi. Isherici është një nga krerikët më të fuqishëm të Bosnje-Hercegovinës.
Fjalën e tij e dëgjojnë. Sidomos në kohë krize. Pas sulmeve të shumta islamike në Evropë, ai do të përfaqësojë edhe më shumë zërin e liberal, evropian dhe kozmopolit të islamit boshnjak. “Sigurisht që ne si komunitet boshnjako-mysliman refuzojmë çdo lloj sjellje radikale, ne jemi shumë të vetëdijshëm për gjendjen tonë të veçantë: si muslimanë të hershëm në Evropë është përgjegjësia jonë që t’ua bëjmë të njohur fenë tonë të paqes edhe jomuslimanëve dhe të angazhohemi që ata edhe ta pranojnë si të tillë. Ky është amaneti ynë dhe me këtë shpresojmë t’i shërbejmë edhe Perëndisë.”
Çdo gjë brenda sistemit?
Në oborrin e xhamisë qendrore të bashkësisë islame janë varrosur krerikë të dikurshëm myslimanë të Bosnjës. Ndryshe nga vendet e Lindjes së Mesme, ata vazhdojnë të adhurohen nga ana e besimtarëve edhe pas vdekjes – ngjashëm si tek fetë e tjera në Bosnje. Sipas Ishericit të gjithë muslimanët e Bosnjës duhet t’i nënshtrohen kësaj forme të fesë islame. “Komuniteti mysliman i Bosnjes është një model organizativ që nuk e gjen askund tjetër në botën islame. Nuk ka asnjë xhami të vetme jashtë Bashkësisë Islame të Bosnjës, as edhe një imam të vetëm që praktikon në një xhemat, pra një bashkësi lokale islame, pa leje të vlefshme prej Myftiut të Madh. Çdo gjë lëviz brenda sistemit.”
Fundamentalistët sfidojnë bashkësinë zyrtare islame
Por, që prej luftës në Bosnjë ka fshatra tërësisht islamikë, ku fundamentalistët sfidojnë bashkësinë zyrtare islame. Në verilindje të vendit, në disa fshatra përreth qytetit industrial të Tuzlës pushtetin e kanë salafistë radikalë islamikë. Në lagjen Kula takohemi një grup salafist. Emir Çajic është i vetmi në rajon, që është dakord të flasë me ne. Ata kërkojnë që gratë të mbulohen nga këmba te koka, refuzojnë alkoolin dhe shumë gjëra të tjera që muslimanët kozmopolitanë boshnjakë që jetojnë prej shekujsh në Evropë, i tolerojnë. Këtu nuk ka Islam modern.
Strukturat paralele islamike në Bosnjë janë nën mbikëqyrjen e policisë nën akuzën se kanë kontakt me dhe financohen prej kohësh nga grupe fundamentaliste në Lindjen e Mesme. Ata janë kundër Islamit evropian në Bosnje. Për ta përkujtimi i ish-liderëve shpirtërë në varret e xhamive siç bëhet një gjë e tillë në xhaminë qendrore në Sarajevë është vepër djallëzore. “Ata as nuk u thonë njerëzve se është gjë e keqe që këto varre ekzistojnë. Po kjo nuk ka qenë arsyeja kryesore pse jemi larguar nga Bashkësia Islame e Bosnjës. Kjo ka të bëjë me shmangiet e ndryshme në formën se si duhet praktikuar besimi prej bashkësisë islame dhe se ata thjesht nuk e kanë bërë punën e tyre! ” – thotë Emir Çajic.
Grupi i Emir Çajicit ka zënë rrënjë në lagjen e varfër të Kulës. Dhe islami liberal boshnjak është larg. Madje ata nuk zhvillojnë as bisedime me bashkësinë islame. “Kur e ke vendosur një herë kufirin – atëherë nuk ka më mosmarrëveshje. Ti e di se ku je dhe personi tjetër po ashtu.” – thotë Emir Çajici.
Gjithçka nën kontroll?
Të gjithë besimtarët në Bosnjë i përkasin bashkësisë islamike boshnjake, thotë Imam Isherici në Sarajevë. Dhe sipas tij “gjithçka është nën kontroll. Ata nuk përbëjnë asnjë rrezik!”
Por në fakt fundamentalistët kanë kohë që janë vendosur në Bosnjë-Hercegovinë dhe kërcënojnë bashkësinë islamike shtetmbajtëse. Nga radhët e radikalëve duhet të kenë shkruar në Siri për t’u bashkuar me terroristët e IS-it qindra boshnjakë. Ata të gjithë kërcënojnë islamin liberal evropian.
Ndjekësit e islamit liberal evropian festojnë që nga fillimi i Ramazanit çdo mbrëmje mbi çatitë e Sarajevës duke e thyer agjerimin – pikërisht këtë kozmopolizëm, këtë gëzim po e luftojnë gjithnjë e më me forcë fundamentalistët në Bosnje./DW