Bota e fshehur nën Antarktikë, shpresa të mëdha për shkencëtarët
Tri studime të ndryshme kanë analizuar përmbajtjen e një liqeni nën akullnajor në Antarktidën Perëndimore, ndërsa shkencëtarëve u janë ngjallur shpresat se do të kuptojnë më mirë oqeanet dhe rritjen e nivelit të ujit në vazhdim
Kërkuesit kanë zbuluar se çfarë shtrihet nën Antarktidën Perëndimore. Ata thonë se liqeni nënakullnajor Uillans, i cili ndodhet 800 metra poshtë shtresës akullnajore të Antarktidës Perëndimore, është i ngjashëm me një ligatinë.
Ata shpresojnë se duke analizuar zonën, do të kenë të dhëna të reja mbi mënyrën se si nivelet e deteve do të rriten dhe si akujt do të shkrijnë prej ngrohjes globale.
Zbulimet burojnë nga projekti i Kërkimit Akullanjor, i cili mundësohet nga Fondacioni për Shkencën.
“Është e mrekullueshme po të mendosh që ne as që e dinim se ky liqen ekzistonte deri një dekadë më parë”, tha Helen Amanda Fricker e cila zbuloi fillimisht liqenin akullnajor Uillans në vitin 2007 nga të dhënat satelitore.
“Jemi shumë të entuziazmuar për të dhënat që do të na japë liqeni me anë të të cilave ne do të kuptojmë mënyrën se si ai funksionon si pjesë e sistemit të shtresës akullnajore.
Ujërat e liqenit kullojnë vazhdimisht përmes kanaleve në oqean, por me energji të pamjaftueshme për të mbajtur shumë tokë të ngurtësuar. Të dhënat e reja jo vetëm që do t’i lejojnë shkencëtarët të kuptojnë biokiminë dhe funksionimin e liqenit në vetvete, por ata do të mund të përdorin informacionin e marrë për të përmirësuar modelet studimore. Kështu, kërkuesit do të jenë në gjendje të kuptojnë më mirë si funksionojnë liqenet nënakullnajore me shtresën e sipërme të akullit dhe sedimentin e poshtëm.
Këto modele do të ndihmojnë të kuptohet më mirë se si liqenet nënakullnajore mund të kenë kaluar ujin nga kontinenti në oqean dhe të kenë shkaktuar kështu rritjen e nivelit të detit.
Në janar të vitit 2013, projekti ia doli të shponte me sukses shtresën akullnajore për të arritur në liqenin Uillans, duke marrë mostra të ujit dhe shtresës fundore nga një pellg i izoluar i ujit i cili nuk kishte pasur kontakt me atmosferën për mijëra vite.
Tanimë tri studime të ndara kanë analizuar rezultatet.
Në një studim të publikuar në Letrat e Kërkimit Gjeofizik, autori kryesor i studimit Matthew Siegfried nga Instituti i Oqeanografisë në Universitetin e Kalifornisë dhe kolegët e tij raportuan se të dhënat tregonin se kullimi periodik i liqenit shton shpejtësinë në bazën e shtresës akullnajore. Në këtë mënyrë realizohet rritja e shpejtësisë së akullit deri me katër për qind, një lëvizje që mund të zgjasë për disa muaj.
Autorët thonë se këto dinamika afatshkurtra mund të jenë thelbësore për të kuptuar më të mirë të ardhmen dhe ndryshimet afatgjata të shtresave të akullit në botë.
Në një studim të dytë, publikuar te revista “Gjeologjia”, autori i studimit Alexander Michaud nga Universiteti Montana dhe kolegët e tij përdorën të dhënat e marra nga një shtresë fundore prej 38 centimetrash e liqenit për të kuptuar përbërjen kimike të ujit në liqen dhe terrenin e tij.
Ata zbuluan se uji i liqenit vjen kryesisht nga shkrirja e bazës së shtresës akullnajore që mbulon liqenin, me pak kontribut nga uji i detit që ngeci poshtë shtresës akullnajore gjatë periudhës së fundit të Akullnajave.
Ky rezervuar i lashtë dhe i izoluar i ujit të oqeanit vazhdon të prekë biokiminë e sistemit të këtij liqeni.
Studimi i fundit bie në kontrast me studimet e mëparshme sipas të cilave uji i terreneve të ngurta nënakullnajore nuk kishte përmbajtje detare.
Në studimin e tretë, të publikuar në revistën “Toka dhe Shkenca Planetare”, autori i studimit Timothy Hodson nga Universiteti i Ilinoisit Veriore dhe kolegët e tij ekzaminuan një tjetër shtresë të fundit të liqenit për të kuptuar më shumë rreth marrëdhënies mes shtresës së akullit, hidrologjisë nënakullnajore dhe terrenit në fund të liqenit.
Zbulimet treguan se megjithëse kalojnë rrjedha uji nga liqeni herë pas here, ato nuk janë mjaftueshëm të fuqishme për të gërryer kanalet ekzistuese për të dalë në sipërfaqe të shtresës akullnajore.
Më tepër ky mjedis poshtë shtresës akullnajore të Antarktidës është si një ligatinë brenda një sipërfaqe nën nivelin e ujit ku shpesh uji vjen dhe largohet.
Çfarë nuk dini për Antarktidën?
Antarktida është një kontinent fantastik, me kontraste të mëdha të natyrës krahasuar me pjesën tjetër të botës. Ju duhet të dini se temperatura më e ulët në botë, -89.2 gradë Celsius është regjistruar pikërisht në Antarktidë më 21 korrik të vitit 1983. Erërat në Antarktidë kanë një shpejtësi prej 320 kilometra në orë, ndërsa afërsisht 30 shtete kanë dërguar grupet e tyre të eksplorimit në kontinentin e pestë më të madh në botë.
Antarktida ka gjithashtu shtresën akullnajore më të madhe në botë, ku 99 për qind e kontinentit mbulohet nga akulli me trashësi mesatare 1.6 kilometra. Antarktida ka si pikë më të lartë Vinson Massif, 4987 metra.
Mund t’ju duket e pabesueshme, por ekzistenca e Antarktidës u zbulua vetëm në vitin 1820. Një fakt tepër kureshtar është ai i janarit të vitit 1979 kur Argjentina në përpjekje për të kërkuar pronësi të një pjese të Antarktidës dërgoi një nënë shtatzënë të lindte fëmijën e saj. Gjithashtu, gjallesa më e përhapur në Antarktidë nuk është pinguini sikurse mendohet, por një lloj krimbi parazit.